Një nga politikanët kryesorë të Australisë ka pranuar se ka veshur një uniformë naziste në festën e ditëlindjes së tij të 21-të dhe ka kërkuar falje.
Kryeministri i Uellsit të Ri Jugor (NSW), Dominic Perrottet, 40 vjeç, zbuloi incidentin të enjten, dy ditë pasi një koleg e ngriti çështjen privatisht me të.
Ai tha se ishte një gabim i tmerrshëm, i bërë kur ishte i ri dhe naiv.
Lideri i koalicionit konservator të shtetit, Perrottet përballet me zgjedhjet pas dy muajsh.
“Më vjen thellësisht turp për atë që bëra”, u tha ai gazetarëve në një konferencë emocionale për shtyp.
“Në atë moshë në jetën time, thjesht nuk e kuptoja rëndësinë e asaj që do të thoshte ajo uniformë. Më vjen vërtet keq për lëndimin dhe dhimbjen që kjo do shkaktojë…veçanërisht për anëtarët e komunitetit hebre, të mbijetuarit e Holokaustit, veteranët dhe familjet e tyre.” – shtoi ai.
Perrottet tha se nuk e dinte nëse ekzistonte një foto e tij me kostumin dhe mohoi se pranimi i tij ishte bërë për të parandaluar publikimin e ndonjë fotografie të tillë, shkruan BBC.
Ai tha se kishte kontaktuar udhëheqësit hebrenj në NSW për të kërkuar falje personalisht.
Bordi i Deputetëve të Hebrenjve të NSW tha se Perrottet kishte një ‘keqardhje të thellë dhe të sinqertë’ për veprimet e tij të pothuajse 20 viteve më parë.
“Ky incident, pavarësisht sa i vjetër, është një kujtesë e nevojës për të edukuar vazhdimisht të gjithë australianët, dhe veçanërisht rininë tonë për natyrën e neveritshme të regjimit nazist.” – thanë presidenti David Ossip dhe shefi ekzekutiv Darren Bark.
Perrottet u bë kryeministër i shtetit më të populluar të Australisë në vitin 2021, kur paraardhësi i tij dha dorëheqjen pasi u përfshi në një hetim korrupsioni.
Ai përballet me një betejë të vështirë për të fituar zgjedhjet shtetërore në mars. Koalicioni Liberal-Kombëtar ka qenë në pushtet për 12 vjet, por një mori kolegësh të lartë po dalin në pension dhe koalicioni është kritikuar për dështimin për të promovuar më shumë gra.