Vendosni fjalën kyçe....

Renditja e Universiteteve dhe Studiuesve Shqiptarë në shkencat e ekonomisë


 

Praktikat e klasifikimeve (rankimeve) të institucioneve akademike apo kërkimore janë të përhapura dhe konsiderohen të rëndësishme në vende të zhvilluara.

Madje, shpesh, financimet publike lidhen me tregues performance që përfshijnë edhe klasifikimet e ndryshme. Me gjithë rëndësinë që kanë këto klasifikime, në Shqipëri nuk ka ende një platformë të ngjashme për institucionet akademike apo kërkimore dhe të studiuesve individualë.

Nëse do të analizonim performancën shkencore në lidhje me shkencat ekonomike, që është edhe fokusi i fakulteteve më të mëdha të disa universiteteve publike dhe private në Shqipëri, mund t’i referohemi platformës së mirënjohur Research Papers in Economics (RePEc).

RePEc bazohet në bashkëpunimin e qindra vullnetarëve në shumë vende për të rritur shpërndarjen e kërkimit në ekonomi. RePEc, i sponsorizuar nga Rezerva Federale (Banka Qendrore – SHBA) dhe duke përdorur bazën e të dhënave të saj IDEAS, ofron qasje në mbi 1 milion artikuj.

Sipas RePEc, institucionet që renditen në kuartilin e parë (Top 25%) në Shqipëri, sipas radhës, janë Universiteti Epoka, Banka e Shqipërisë, dhe Universiteti Bujqësor i Tiranës. Universitet janë të përfaqësuara me fakultetet ekonomike përkatëse.

Konkretisht, Universiteti Epoka, përfaqësohet nga Fakulteti i Ekonomiksit dhe Shkencave Administrative ndërsa Universiteti Bujqësor i Tiranës nga Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit). Nëse do të merreshin në konsideratë vetëm 10 vitet e fundit, rankimi ndryshon disi.

Në vend të parë kalon Universiteti Epoka, e ndjekur nga Universiteti Bujqësor i Tiranës (në vend të dytë) dhe në vend të tretë është Banka e Shqipërisë.

Ndërsa në nivel individual, 6 ekonomistët e institucioneve kërkimore shqiptare në krye të listës së klasifikimit të RePEc janë si më poshtë:

1.Drini Imami – Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit, Universiteti Bujqësor i Tiranës

2.Altin Tanku – Banka e Shqipërisë

3.Dritan Osmani – Fakulteti i Ekonomiksit dhe Shkencave Administrative, Universiteti Epoka

4.Eglantina Hysa – Fakulteti i Ekonomiksit dhe Shkencave Administrative, Universiteti Epoka

5.Gerti Shijaku – Banka e Shqipërisë

6.Edvin Zhllima – Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit, Universiteti Bujqësor i Tiranës

Siç mund të vërehet, secili nga tre institucionet që kryesojnë listën e klasifikimit të RePEc përfaqësohet me nga dy studiues në listën e 6 ekonomistëve që janë në krye të listës së klasifikimit individual të RePEc.

Shënim: Renditja e RePEc përditësohet rregullisht. Të dhënat e mësipërme bazohen nga raportimi i platformës gjatë muajit dhjetor 2022.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor