Adi Krasta është zgjedhur zv.drejtor i Përgjithshëm i Radio Televizionit të Kosovës.
Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të Bordit të RTK-së ku Krasta është votuar njëzëri nga të tetë anëtarët.
“Me tetë vota për dhe asnjë kundër, Bordi i RTK-së emëroi gazetarin e mirënjohur shqiptar Adi Krastën, si zëvendësdrejtor të Përgjithshëm në Radiotelevizionin e Kosovës – RTK, me rekomandim të Drejtorit të përgjithshëm. Për më shumë se tri dekada përvojë punë ne gazetarinë televizive dhe jo vetëm, Adi Krasta i cili këtë të shtunë mori pozitë drejtuese në transmetuesin publik të Kosovës, i bashkohet mediumit të vetëm publik në Kosovë në momente vendimtare të zhvillimit dhe përparimit të tij.” – thuhet në njoftimin e Bordit të RTK-së.
Krasta ka një karrierë të gjatë në media, në Shqipëri e jashtë saj. Ai e ka nisur karrierën në Radio Tirana në vitin 1990 pas diplomimit, në redaksinë e Kulturës. Më pas Krasta nisi karrierën në televizon, fillimisht me emisionin ‘Mbrëmje Kulturore’ në vitin 1991, bashkë me Rovena Dilon.
Në vitin 1992 ka realizuar e drejtuar programin-revistë ‘Spektër’ ndërsa në vitet 1993, 1994 dhe 1995 ka drejtuar spektaklin ‘12 vallëzime pa të një shtunë’.
Po kështu Krasta ka qenë pesë herë prezantuesi i edicioneve të Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar.
Nga 1999 deri në 2002 ai ka punuar si gazetar prodhues në Seksionin Shqiptar të Shërbimit Botëror të BBC, në Londër, Britani. Me kthimin në Shqipëri, ai ideoi dhe realizoi së bashku me regjisorin Pali Kuke ciklin televiziv të zbulimit të talenteve në fushën e këngës, ‘Ethet e së Premtes Mbrëma’.
Ai ka drejtuar disa emisione në media të ndryshme në Shqipëri si Agon Channel, Top Channel, News24 e Syri Tv.