Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, gjatë fjalës së tij me rastin e 32-vjetorit të degës së PD-së në Durrës komentoi edhe bonuset e dhëna nga qeveria për pensionistët.
Berisha iu drejtua Ramës se pensionistët nuk kanë nevojë për mëshirë duke i kërkuar që të mos vjedhë se zyrtarët po i fshehin paratë në dyshekë e tuba aspiratorësh.
“Këto ditë dëgjoni si bërtet Rama për pensionistët: Do ketë një bonus të madh. Por në prill kur t’jau marrë borgjezëve taksën e jashtëzakonshme do lumturojë sërish pensionistëve.
Abazoviçi i tha në sy dje, në 4 vite rrita rrogën mesatare me më shumë se 300 euro, ndërsa ky jo vetëm që nuk e rriti por referuar inflacionit e uli me të paktën 25 përqind. Pensionistët nuk kanë nevojë për mëshirë. Mos vidh! Hiq dhomën e gjumit nga avionët e tu dhe shihe sa do ngelin. Mos vidh që zyrtarët e tu të mbushin dyshekët dhe tubat e aspiratorit me taksat e shqiptarëve. Mos fshih vjedhjet.
Gjithçka e ka bazën në vjedhjen dhe përçmimin e qytetarëve. kjo që bën kjo qeveri është gjenocid për shqiptarët në krijimin e kalkuluar të kushteve për largimin e tyre nga vendi”, tha Berisha.