Vendosni fjalën kyçe....

Çekia voton sot për Presidentin e ri


Shtetasit e Republikës Çeke janë duke votuar të shtunën në zgjedhjet presidenciale, për të zgjedhur pasardhësin e Millosh Zemanit.

Pozita e presidentit në Çeki konsiderohet ceremoniale.

Miliarderi Andrej Babish, është në mesin e tetë kandidatëve që garojnë për president.

Zgjedhjet kanë nisur të premten dhe përfundojnë në pasditen e së shtunës, përcjell REL.

Babish, ish-kryeministër, është shpallur i pafajshëm këtë javë në një gjyq për mashtrim, vendim që ia ka rritur mundësitë për të fituar në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale.

Nëse asnjëri prej kandidatëve nuk fiton shumicën, dy kandidatët me më së shumti vota do të përballen me rundin e dyte pas dy javësh.

Gjenerali ushtarak, tashmë i pensionuar, Petr Pavel, 61-vjeçar, ish-pjesëtar i komitetit ushtarak të NATO-s, dhe ish-rektorja universitare, Danushe Nerudova, 44-vjeçare, janë konkurrentët kryesorë të Babishit.

Përndryshe Zeman ka mbajtur dy mandate pesëvjeçare në pushtet.

Mandati i tij i dytë, dhe i fundit, skadon në mars.

Ai ka qenë presidenti i parë që është zgjedhur me votë popullore.

Dy ish-presidentët tjerë, Vaclav Havel dhe Vaclav Klaus janë zgjedhur me votën e ligjvënësve.