Shtetet evropiane prapëseprapë do t’iu kthehen importeve të gazit rus, ka thënë ministri i Energjisë në Katar, Saad Sherida al-Kaabi, njëherësh shef i kompanisë së gazit, QatarEnergy.
Megjithatë, ai ka paralajmëruar që paqëndrueshmëritë në tregje mund të zgjasin me vite.
Sasia e gazit që Rusia çon në Evropë ka rënë ndjeshëm pas nisjes së luftës së Moskës në Ukrainë.
“Evropianët sot po thonë se nuk ka kthim mbrapa te gazi rus. Ne të gjithë jemi të bekuar për mundësinë që kemi për të falur dhe për të harruar. Mendoj se gjërat do të zbuten me kohë, ata do të mësojnë nga kjo situatë dhe me siguri do të ketë më shumë diversitet”, ka thënë ai në një forum për energji që po mbahet në Abu Dabi, përcjell REL.
“Mirëpo, unë mendoj se gazi rus do të kthehet në Evropë”.
Eksportet e gazit rus në Bashkimin Evropian dhe Zvicër kanë rënë për 55 për qind më 2022.
Kompania ruse Gazprom ka qenë në të kaluarën eksportuesja kryesore e gazit në Evropë, mirëpo furnizimet janë ndalur për shkak të sanksioneve që Perëndimi i ka vënë Rusisë për nisje të luftës.
Një dimër i butë ua ka lehtësuar punën shteteve evropiane, mirëpo Kaabi ka paralajmëruar që dimri i ardhshëm mund të jetë më sfidues.
“Fatmirësisht ata nuk kanë pasur nevojë për shumë gaz, për shkak të motit të ngrohtë. Kjo gjë nuk do të ndodhë kur ata të synojnë mbushjen e rezervave në dimrat e ardhshëm, dhe kur të mos ketë gaz të mjaftueshëm në tregje në vitet ’25, ’26, ‘27”, ka thënë ai.