Ministrja e Jashtme Xhaçka i ëshë përgjigjur ministrit britanik të Emigracionit duke i quajtur deklaratatat e tij linçuese ndaj shqiptarëve që punojnë e jetojnë në Britani.
Robert Jenrick deklaroi pas vizitës në një qendër për përpunimin e emigrantëve se emigrantët e paligjshëm shqiptarë po largoheshin, mes të cilëve edhe kriminelë të rrezikshëm që kanë qenë të dënuar për drogë.
Xhaçka shkruan se është tronditëse të dëgjosh ministrin që përdor një gjuhë të tillë për ca vota duke linçuar verbalisht një komb të tërë.
“Tej mase e tronditur kur dëgjoj një Ministër Shteti përgjegjës për emigracionin të përdori një gjuhë të tillë vetëm për disa vota. “Gjeni shqiptarin, ndaloni shqiptarin”! Një linçim verbal ndaj një kombi të tërë në një gjuhë që tingëllon sikur ministri po shpall sezonin e hapur për shqiptarët vetëm disa javë pas Komunikatës së Përbashkët mes Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë Edi Rama dhe atij të Britanisë së Madhe Rishi Sunak, ku vlerësuan rolin e diasporës shqiptare në Britani dhe kontributin e saj të rëndësishëm në kulturë,ekonomi dhe shoqërinë e të dy vendeve. Veçim i turpshëm i një komuniteti nga një ministër me parime demokratike që sjell kujtime të tmerrshme me një brutalitet të padurueshëm!” – shkruan Xhaçka.
Çfarë deklaroi ministri Jenrick një ditë më parë.
“Jam këtu duke mbikëqyrur largimin e emigrantëve shqiptarë. Autobusët sapo janë larguar dhe janë rrugë për në aeroport. dhe në mëngjes do jenë në Tiranë. Jam takuar me stafin e mrekullueshëm që po punon pa pushim për t’i gjetur e për t’i ndaluar shqiptarët e për t’i hipur në autobusë për t’i çuar më pas në aeroport e prej këtej në Tiranë. Jo vetëm këta emigrantë të paligjshëm, disa prej të cilëve e kanë kaluar Kanalin në varka të vogla, por ka edhe të tjerë që janë kriminelë të rrezikshëm, që janë dënuar për drogë. Kësisoj ne jo vetëm jemi duke siguruar kufijtë e duke rivendosur parandalimin në sistemin tonë të azilit, por njëkohësisht jemi duke e bërë komunitetin më të sigurt duke larguar kriminelët nga vendi. Kjo është pjesë thelbësore e planit tonë për t’i mbajtur komunitetet e sigurta dhe për të rivendosur drejtësinë në sistemin tonë të azilit dhe emigracionit.”