Vendosni fjalën kyçe....

Policia greke godet grupin e trafikut të drogës nga Shqipëria drejt ishullit, arrestohet 8 persona mes tyre drejtuesi shqiptar


Policia e Korfuzit ka goditur një grup kriminal që trafikonte drogë nga Shqipëria drejt ishullit grek dhe më pas e shpërndante atë, duke arrestuar 8 persona mes të cilëve dy prej drejtuesve të grupit.

Është identifikuar dhe shpallur në kërkim drejtuesi kryesor i grupit, i cili ndodhet jashtë Greqisë si dhe një bashkëpunëtor i tij, që ndodhet në burg në Greqi. Janë identifikuar dhe vënë në hetim 20 persona, të cilët kanë blerë lëndë narkotike nga ky grup kriminal.

Ky grup kriminal ka filluar te funksionojë prej muajit korrik 2021. Këtij grupi në 2 korrik 2021 i janë sekuestruar 3.6 kg marijuanë, në 1 qershor 2022 i janë sekuestruar 2.8 kg marijuanë, në 29 qershor 2022 i janë sekuestruar 4.7 kg marijuanë, në 1 shtator 2022 i janë sekuestruar 4.4 kg marijuanë dhe në 27 tetor i janë sekuestruar 3.4 kg marijuanë.

Kreu i grupit është një shtetas shqiptar 34-vjeç me banim të përhershëm jashtë Greqisë, i cili furnizonte grupin me drogë.

Nëndrejtuesit e grupit janë një grek 54 vjeç dhe një grek 77 vjeç, të cilët u arrestuan dje. Drejtuesi i grupit ishte përgjegjës për trafikun e drogës nga Shqipëria në Korfuz si dhe udhëzonte dy grekët për shpërndarjen e drogës.