Policia ka hequr 21 kamera të vendosura ilegalisht në shtyllat elektrike në Shkodër, që sipas saj ishin vendosur për të mbledhur informacion për qëllime kriminale.
Kamerat ishin vendosur në aksin rrugor “5 Heronjtë”, deri në bypassin e Shkodrës, dhe nga “5 Heronjtë”, deri të rrethrrotullimi i Dobraçit, me qëllim mbledhjen e informaconit për qëllime kriminale, si dhe për të monitoruar lëvizjet e Policisë
“Strukturat hetimore të DVP Shkodër, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, për vendosjen e disa kamerave në shyllat elektrike, në aksin rrugor “5 Heronjtë”, deri në bypassin e Shkodrës, dhe nga “5 Heronjtë”, deri të rrethrrotullimi i Dobraçit, me qëllim mbledhjen e informaconit për qëllime kriminale, si dhe për të monitoruar lëvizjet e Policisë, kanë organizuar punën për identifikimin e personave që kishin vendosur këto kamera dhe çmontimin e tyre.
Mbështetur nga shërbimet operacionale dhe ato të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, strukturat hetimore të DVP Shkodër kanë çmontuar dhe sekuestruar 21 kamera të lidhura nëpërmjet celularit, nga të cilat 8 të instaluara në vende dhe sheshe publike, në aksin rrugor nga rrethrotullimi “5 Heronjtë” deri tek rrethrrotullimi i parë i bypassit të Shkodrës, ndërsa 13 të tjera të instaluara në aksin rrugor nga rrethrrotullimi “5 Heronjtë” deri te rrethrrotullimi i Dobraçit.
Kamerat e sekuestruara ishin vendosur pa lejen përkatëse të organeve kompetente. Vendosja e tyre është në kundërshtim me Ligjin 9887, datë 10.03.2008 “Mbrojtja e të dhënave personale” dhe përbën veprën penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, që parashikohet nga neni 121 i Kodit Penal.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna intensive për identifikimin e personave që kanë instaluar kamerat dhe për zbardhjen e plotë të qëllimit të vendosjes së këtyre kamerave”-njofton policia.