Autoritetet xhamajkane kanë sekuestruar kokainë me vlerë rreth 80 milionë dollarë nga një anije në portin e Kingston, në një nga kapjet më të mëdha të drogës në vend, thanë autoritetet.
Zyrtarët xhamajkanë zbuluan dërgesën e fshehur brenda një anijeje mallrash nga Amerika e Jugut, tha policia në një deklaratë të shtunën vonë, duke e vlerësuar vlerën e saj në treg në 80 milionë dollarë.
Nga kontrolli i anijes së ngarkesave u gjetën më shumë se 1,500 kilogramë kokainë, tha policia. Mallrat ishin ndarë në 50 thasë që përmbanin 1250 pako, tha Forca e Mbrojtjes së Xhamajkës në një deklaratë të veçantë.
Organizatat kriminale ndërkombëtare kanë përdorur prej kohësh Xhamajkën si një qendër për të lëvizur armë dhe drogë, duke përfshirë dërgimin e kokainës në Amerikën e Veriut dhe Evropë.
Forca e Mbrojtjes së Xhamajkës tha se do vazhdojë të luftojë kundër kriminelëve që kërkojnë të ‘përfitojnë nga rëndësia gjeostrategjike e Xhamajkës në tregtinë botërore duke shfrytëzuar ngarkesat legjitime’.
Në tetor, agjencia globale e policisë Interpol tha se autoritetet xhamajkane kishin kapur një sasi rekord prej 500 kilogramësh kokainë, me vlerë rreth 25 milionë dollarë, të planifikuar për t’u dërguar me një avion privat në Kanada.