Banori i Queens-it, Adderly Santos Familia, është liruar me kusht pasi prokurorët federalë e akuzuan atë se u përpoq të fuste vjedhurazi rreth 9 kg kokainë në SHBA të fshehura në një tufë lodrash prej pellushi të Santa Claus-it.
Familia u kap gjatë një kontrolli në aeroportin ‘JFK’ të Nju Jorkut muajin e kaluar, raportoi të shtunën New York Post.
Familia, i cili fluturoi nga Punta Cana në Republikën Domenikane, pohoi se kishte vizituar të afërmit atje. Lodrat e Babagjyshit ishin nga fëmijët e tij, thuhet se këmbënguli ai, pasi oficerët i hapën ato për të zbuluar drogën brenda.
Tjetër sasi kokaine u gjet në jastëkun e qafës së Familia-s dhe në valixhen e tij, me vlerën totale të drogës së sekuestruar midis 260,000 dhe 1 milion dollarë, sipas vlerësimeve të Zyrës së OKB-së për Drogën dhe Krimin.
Ai është akuzuar për import e zotërim kokaine me qëllim shpërndarjeje, krime që mund të çojnë deri në një burgim të përjetshëm plus 10 milionë dollarë gjobë. Megjithatë, ai u lirua me garanci prej 100,000 dollarë një ditë pas arrestimit.