Vendosni fjalën kyçe....

Berisha akuza të forta: Enver Sheshi viktimë e mafies shtet të inceneratorëve, kishte vendosur të fliste


Kreu i PD-së Berisha ka akuzuar kryeministrin Rama lidhur me vdekjen në burg të Enver Sheshit , i arrestuar për çështjen e inceneratorëve.

Ai tha se vdekja e tij është vepër e shtetit të mafies, pasi Sheshi kishgte vendosur të fliste lidhur me hetimet për inceneratorët.

59-vjeçari Sheshi , i arrestuar për inceneratorin e Fierit, ndodhej në ‘Burgun 313’, ndërroi jetë në urgjencën e QSUT-së pas një arresti kardiak.

“Zhvillimet dramatike të ditëve të fundit faktojnë dhe njëherë përfundimisht se ky është shtet i mafies, qeveria është mafia e shtetit. Jam këtu për të denoncuar dhe njëherë errësirën me të cilën qeveria përpiqet të mbulojë vdekjen e të ndjerit Enver Sheshi, arrestuar për aferën e inceneratorëve.

Menjëherë pas komunikatës zyrtare e cila ngjallte më shumë dyshime se sqarime, një breshëri mesazhesh nga qytetarë vërshuan të cilët shprehnin dyshime dhe bindje se i ndjeri Enver Sheshi është viktimë e mafies së djegësve. Është viktimë e mafies qeveritare të djegësve. Këto informata shtonin se Enver Sheshi i arrestuar për një skemë të devijimit të parave të djegësve kishte vendosur të fliste dhe pas kësaj xhelati mafioz i kësaj afere të tmerrshme e cila ka për kokë direkt Edi Ramën gjeti mënyrën sipas këtyre burimeve ta çojë në botën tjetër dëshmitarin e rrezikshëm.”