Vendosni fjalën kyçe....

Kërkohet nga drejtësia gjermane, kapet në Morinë 25-vjeçari nga Kosova


Një 25-vjeçar i shpallur në kërkim nga Gjermania është ndaluar në pikën kufitare të Morinës.

I riu me iniciale J.D. banues në Fushë Kosovë akuzohet për ‘mashtrim’ dhe një gjykatë në Gjermani i ka caktuar masën ‘arrest në burg’.

Pas përfundimit të procedurave, ai do ekstradohet drejt Gjermanisë.

Njoftimi

“Arrestohet përkohësisht, me qëllim ekstradimi drejt Gjermanisë, një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale “Mashtrimi i rëndë”.

Në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar Morinë, shërbimet e Policisë Kufitare, si rezultat i kontrolleve me përzgjedhje dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tirana, kanë ndaluar shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar:

J.D., 25 vjeç, banues në Fushë Kosovë.

Gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, ky shtetas ka rezultuar person në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjermane, pasi Gjykata e Bambergut, Gjermani, me vendimin e datës 14.06.2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi i rëndë”, parashikuar nga legjislacioni penal i Gjermanisë.

Në përfundim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Kukës bënë arrestimin provizor të këtij shtetasi, me qëllim ekstradimin e tij drejt Gjermanisë.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet gjermane, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi.”