Vendosni fjalën kyçe....

Në përkujtim të një 555-vjetori


Nga Aurel Plasari

Në përkujtimin e 555-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, një leksion i veçantë me nxënësit më të mirë në lëndën e historisë të shkollave të mesme. Dhe, befasuese, sidomos pyetjet e tyre.

Afërmendsh që nuk do të dalin prej tyre 100 historianë. Në kapitalizëm edhe shkrimi i historisë reduktohet në një “treg të historisë”, si në përgjithësi “tregu i kulturës”. Dhe, fundja, as ka nevojë se përse të bëhet gjithkush historian. Por leximi i historisë, njohja e historisë u bën fort mirë marrëdhënieve që ndërton individi me realitetin, qytetari me shoqërinë që e rrethon. Leximi i historisë dhe njohja e saj ndihmon të dallosh raportin shkak-pasojë të ngjarjeve, ndikimin e rrethanave mbi individin dhe të individit mbi rrethanat, më shkurt: të kuptosh atë që quhet logjikë e ngjarjeve që ti përjeton.

“Ta kanë ulur statusin”, më shkruan një koleg, ngaqë prej leksioneve në auditorët universitarë dhe pasuniversitarë më paskan “zbritur” në klasat e shkollave të mesme. E ka gabim. Për të gjithë që kemi profesionin bazë, atë fillestar, të mësuesit nuk ka hierarki në dhënien mësim, d.m.th. në transmetimin e dijeve. Edhe në një shkollë 8-vjeçare a 9-vjeçare do ta kisha nder të jepja mësim.

Madje po shtoj që mësimdhënia edhe më e rëndësishme do të ishte në një auditor me nxënësit “më të dobët” në lëndën e historisë, sipas këshillës që i dha profesori i tij Eric Hobsbawm-it kur ky filloi të jepte mësim në universitet:

“Njerëzit për të cilët ju jeni këtu, – më tha profesori im, – nuk janë studentët e shkëlqyer si puna juaj. Janë studentët mesatarë, mendjet mesatare, ata që marrin diploma pa ndonjë interes dhe me nota mesatare, detyrat e të cilëve ngjajnë të gjitha njëra me tjetrën. Studentët e jashtëzakonshëm, ata, kanë për t’ia dalë që kanë për t’ia dalë dhe ju do të ndjeni kënaqësi të jeni profesor i tyre. Porse janë të tjerët ata që kanë nevojë për ju”.

Që kreu i Qeverisë, edhe pse unë deri më tani nuk e kam votuar, kujtohet të më ftojë një herë në pesë vjet, – si në rastin e ceremonisë për rivarrimin e eshtrave të Mid’hat-beut edhe tani për Skënder-beun, – mendoj se nuk bën keq.     

Në fund edhe një premtim për “aristokracinë arbërore” me kopertinë provizore.

*Marrë nga Facebook i Aurel Plasarit