Vendosni fjalën kyçe....

Plotësohet Gjykata Kushtetuese, kush është anëtarja e nëntë Holta Zaçaj


Holta Zaçaj është zgjedhur ai anëtare e nëntë e Gjykatës Kushtetuese duke e plotësuar këtë të fundit.

Ajo është zgjedhur nga Gjykata e Lartë e do zëvendësojë Vitore Tushën, së cilës i ka përfunduar mandati.

Në votimin e kryer, Zaçaj e Elsa Miha morën nga gjashtë vota secila ndërsa tre vota u shpallën të pavlefshme.

Kësisoj Zaçaj u zgjodh duke u renditur më lartë në renditjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Zaçaj është diplomuar në vitin 1998 si juriste në Fakultetin e Drejtësisë ndërsa ka disa diploma pasuniversitare si master i ligjeve në universitetin Georgetown në Washington D.C., SHBA e master në të Drejtën Kushtetuese në Fakultetin e Drejtësisë Suffolk, SHBA.

Ajo është me profesion avokate, e specializuar në të drejtën familjare, mbrojtjen e fëmijëve dhe transaksionet me pasuri të patundshme.

Anëtarja e nëntë e Gjykatës Kushtetuese ka një karrierë të pasur si pedagoge në Shkollën e Magjistraturës dhe disa universitete private ku ka dhënë lëndë si ‘E Drejta Familjare’, ‘E Drejta Bankare’, ‘E Drejta Financiare’, ‘E Drejta Tatimore e Doganore’, etj.

Po kështu Zaçaj ka qenë Drejtore Ekzekutive e avokate në Qendrën e Shërbimeve e Praktikave Ligjore të Integruara.