Të dhënat e deritanishme tregojnë se fitimi i kompanive të sigurimit gjatë vitit të kaluar ka shënuar një tendencë të ndjeshme në rritje.
Shifrat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se për 9-mujorin 2022 fitimi i tregut të sigurimeve në vend arriti vlerën e 1.69 miliardë lekëve ose rreth 14.4 milionë eurove.
Fitimi neto i tregut është rritur me pothuajse 47% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në veçanti, tremujori i tretë i vitit ka sjellë një rritje të ndjeshme të fitimeve me 792 milionë lekë ose 89% më shumë krahasuar me rezultatin neto të 6-mujorit.
Rritja e fitimeve ishte më e ndjeshme në tregun e sigurimit të Jetës, ku ndërmarrjet raportuan fitime neto në vlerën e 148 milionë lekëve, shifër kjo 96% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritja e fitimit në tregun e sigurimit të Jetës ka ardhur paralelisht nga rritja e primit të fituar neto, por edhe nga ulja e shpenzimeve neto për dëme të paguara. Primet e fituara neto u rritën me 14%, kryesisht falë rritjes së volumit të tregut dhe primeve të shkruara bruto.
Ndërkohë, dëmet e paguara neto pësuan një rënie të ndjeshme me 28% krahasuar me një vit më parë. Gjatë vitit 2021, kompanitë e sigurimit të Jetës u prekën ndjeshëm nga rritja e vdekjeve në periudhën pas pandemisë.
Gjatë vitit 2022, ky efekt është zbehur ndjeshëm, duke ndikuar në uljen e dëmeve dhe duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në rritjen e fitimeve të tregut të Jetës. Nga ana tjetër, edhe këtë vit kompanitë po vazhdojnë të rrisin shpenzimet operative dhe veçanërisht shpenzimet e marrjes në sigurim, që edhe për 9-mujorin ishin 135% më të larta se shpenzimet neto për dëme. Shpenzimet e marrjes në sigurim konsistojnë kryesisht në komisione për shitjen e produkteve të sigurimit.
Rezultat financiar në përmirësim të ndjeshëm për 9-mujorin e vitit të kaluar shënoi edhe segmenti më i madh i tregut, ai i sigurimeve të Jo-Jetës. Sipas AMF-së, fitimi neto i kompanive të këtij tregu u rrit në 1.54 miliardë lekë, 43% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Edhe në këtë segment, primet e fituara neto, që përbëjnë bazën kryesore të të ardhurave të siguruesve, janë rritur me 11% krahasuar me një vit më parë. Nga ana tjetër, edhe dëmet neto të paguara janë rritur me 13% krahasuar me një vit më parë.
Megjithëse në terma bruto siguruesit këtë vit po paguajnë më pak dëme, rënia e pjesës së risiguruesve në strukturën e dëmeve ka bërë që shpenzim i neto i kompanive shqiptare për këtë zë të rritet. Kjo mund të lidhet kryesisht me strukturën e dëmeve sipas produkteve.
Zakonisht, dëmet që prekin limite përgjegjësie të mëdha, si, për shembull, ato nga katastrofat, në pjesën më të madhe risigurohen. Ndërkohë, shkalla e risigurimit është më ulët për dëmet e lidhura nga sigurimet motorike, që historikisht përbëjnë edhe pjesën më të madhe të dëmeve në tregun shqiptar të sigurimeve, me përjashtim të periudhave që kanë pasuar ngjarje të jashtzakonshme, si tërmeti i nëntorit 2019.
Ndërkohë, një faktor me ndikim pozitiv në rezultatin financiar ka qenë edhe ulja e shpenzimeve të marrjes në sigurim, me 4% më pak krahasuar me një vit më parë. Një ndikim të konsiderueshëm në këtë rënie vlerësohet të ketë pasur vendimi i AMF-së për të vendosur një tavan për nivelin e komisioneve në sigurimet e detyrueshme motorike, që përbëjnë edhe produktin më të rëndësishëm të tregut. /E.Shehu
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor