Partia e Lirisë i ka bërë jehonë një raporti të EUROSTAT, i cili e rendit Shqipërinë vendin e fundit në rajon për sa u përket shpenzimeve që bën qeveria për qytetarët.
Sekretari i Përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi, shkruan se qytetarët marrin vetëm 1.7 euro në ditë shërbime publike nga qeveria për taksat që paguajnë rregullisht.
Blushi shton më tej se për arsimin, shëndeti dhe shërbimet e përgjithshmë publike, ‘rilindja’ shpenzon 644 euro në vit për çdo qytetar.
Ai sjell për krahasim vendet e rajonit ku në Mal të Zi shifra është 1585 euro për banor, në Serbi 1315 euro ndërsa në vendete BE-së, mesatarja shkon në 7156 euro për banor.
Në fund ai shkruan se ndërkohë që qytetarët paguajnë taksa, qeveria vjedh papushim me inceneratorët, PPP e koncesione.
“Për çdo shqiptar që paguan rregullisht mijëra lekë taksa, shërbimet publike që merr nga Qeveria kapin vlerën rreth 1.7 euro në ditë, thënë ndryshe baras me 2 bukë. EUROSTAT e rendit Shqipërinë të fundit në rajon dhe Europë për shpenzimet që Qeveria bën për qytetarët. Për shëndetin, arsimin dhe shërbimet e përgjithshme publike “Rilindja” shpenzon në vit 644 euro për çdo qytetar. Në Mal të Zi shifra fiksohet pranë 1,585 eurove për frymë, ose rreth 2.5 herë më shumë se në vendin tonë.
Për Serbinë, shifrat flasin për 1,315 euro për frymë. Në Bashkimin Europian, mesatarisht kjo normë fiksohet pranë 7,156 eurove për frymë në vit. Pra, Qeveria shqiptare shpenzon për qytetarët e saj 11 herë më pak se ajo që shpenzojnë qeveritë e vendeve të BE. Shqiptarët paguajnë taksat por Qeveria e tyre i vjedh papushim me inceneratorë, koncensione, tendera sekretë, me PPP, në dogana e tatime dhe me shpenzime luksi, si udhëtimet e Kryeministrit me avion personal. Është kjo arsyeja pse vetëm në një vit “Rilindja” vodhi 1 miliard euro taksa, ndërkohë që Edi Rama dhe zyrtarët e tij flenë mbi miliona e qindra mijëra euro poshtë dyshekëve dhe mbushin tubat e ajrimit me para.” – shkruan në denoncimin e tij Blushi.