Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi nxjerr videot: 180 ditë filmime në inceneratorin e Tiranës, Rama e Veliaj gënjyen në komision, SPAK të reagojë (Video)


Deputetja e Partisë së Lirisë ka akuzuar kryeministrin Rama e kryebashiakun Veliaj se janë përgjegjës për aferën e inceneratorëve.  

Ajo tha se deklaratat e tyre në komisionin hetimor parlamentar janë gënjeshtra dhe se janë të dy kokat e grupit të strukturuar kriminal që qëndron pas aferës.

 

“Edi Rama dhe Erion Veliaj duhet të dalin të dy para drejtësisë për aferën e inceneratorëve. Deklaratat e tyre në Komisionin Hetimor janë gënjeshtra dhe për veprimet dhe deklarimet e tyre duhet të dalin bashkë. Edi Rama dhe Erion Veliaj në dy kokat kryesore të grupit të strukturuar kriminal të aferës së inceneratorëve. “Ky ishte një material i shkurtër në të gjitha xhirimet që ne kemi bërë në 180 ditë në të gjithë procesin e menaxhimit të mbetjeve. Mos harroni se në inceneratorin e Tiranës nuk depoziton vetëm bashkia e Tiranës por edhe të tjera. Ju e keni parë sesi bashkia e Durrësit ka planifikuar 10 milionë dollarë. Kjo është një pjesë e vogël e qindra orëve të filmimeve që kemi të veprës së krimit. Shqiptarët sot paguajnë 29 euro për ton vetëm për groposjen pa llogaritur shpenzimet e tjera transportin e me rradhë. Deri më sot nuk kemi asnjë veprim nga drejtësia shqiptare që më e pakta që mund të bënte është ndërprerja e pagesave për një kompani offshore” – tha Kryemadhi.

 

Në denoncimin e saj ajo ka hedhur në një kosh mbeturinash një qese fosforeshente me mbeturina për të gjurmuar procesin e trajtimit.

“Nga pamjet e filmuara me dron nga gjurmimi i qeses fosforeshente kuptohet qartë që në inceneratorin e Tiranës nuk kryhet asnjë proces qoftë nga ato që  zotohet kryeminstri në komision qoftë edhe nga deklarimet e përfaqësuesve të kompanisë. Sipas pamjeve me dron në inceneratorin e Tiranës kryhet vetëm procesi i peshimit dhe groposjes së mbetjeve. Pra, asnjë proces tjetër për të cilin kompania paguhet 29 euro për ton.” – thuhet në denoncim.

 

Më tej në denoncimin e Kryemadhit thuhet se inceneratori inekzistent i Tiranës është në fakt një landfill për depozitimin e mbetjeve.

Duke e krahasuar me landfillin e Shkodrës Kryemadhi thotë ndërsa ky i funditpër procesin e groposjes paguan 1600 lekë të reja për ton, në atë të Tiranës bashkia e Veliajt paguan 29 euro për ton, duke e shitur të gjithin si process incererimi.