Deputeti demokrat Flamur Noka ka debatuar me ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi në Komisionin e Sigurisë sa i takon tensioneve të Kosovës.
“Ajo që na shqetëson është fakti se në këtë situatë përballë këtyre zhvillimeve qeveria përgjithësisht ka luajtur rolin e strucit dhe në shumë raste të tjera. Kryeministri i Shqipërisë ka bërë atë që ishte jashtë çdo perceptimi ta bëjë një kryeministër i Shqipërisë.”
Ndër të tjera Noka ka akuzuar kryeministrin Rama, se ka dashuri patetike ndaj Presidentit Vuçiç dhe ka futur një thikë pas shpine ndaj kosovarëve dhe shtetit të tyre duke përkrahur Ballkanin e Hapur.
“Ajo që na shqetëson është fakti se në këtë situatë përballë këtyre zhvillimeve qeveria përgjithësisht ka luajtur rolin e strucit dhe në shumë raste të tjera. Kryeministri i Shqipërisë ka bërë atë që ishte jashtë çdo perceptimi ta bëjë një kryeministër i Shqipërisë. Ka deklaruar, shfaqur hapur dashurinë për Ballkanin e hapur duke anashkaluar Kosovën, duke i futur thikë pas shpine Kosovës dhe duke shfaqur një dashuri deri në dashuri patetike për Vuciçin dhe për qeverinë e Serbisë. Këto gjëra në kohë moderne, quhen tradhti kombëtare. Në këtë kohë, në këtë mënyrë, ndodh tradhtia kombëtare. Deklaron kryeministri i Serbisë që do dërgoj 1 mijë trupa në territor shqiptar dhe kryeministri fut kokën si struci dhe s’bën asnjë deklaratë kundër Vuçiç. Prisja nga ministri që të tregonte pak senisibiltet të shtuar dhe jo të fliste në mënyrë kaq mekanike dhe pa asnjë emocion sikurse po fliste për Pakistanin. Duke qenë se është e gjitha rilindje, rilindja ka vëlla serbin dhe komshi kosovarin. Ky është realiteti.” është shprehur Noka.
Përgjigja i erdhi nga ministri Peleshi i cili tha qeveria Rama është e vetmja që ka bërë më shumë se asnjëherë më parë për Kosovën dhe se vet Kryeministri e ka ngritur zërin në mes të Beogradit.
“Të gjitha trillime. S’ka qeveri tjetër që ka kontribuuar më shumë në çështjen e Kosovës. Asnjë kryeministër në historinë e Shqipërisë s’ka bërë më shumë për Kosovën se Rama, jo me fjalë por me vepra, por edhe me fjalë kur ka qenë e nevojshme. Nëse jemi pro dialogut, nëse mendojmë që përmes dialogut të drejtuar nga BE, mund të arrihet ajo që presin gjithë shqiptarët, kjo nuk do të thotë se duhet të akuzohemi për aneminë politikën e jashtme. Kur është dashur të forcohen tonet, Rama e ka ngritur zërin në mes të Beogradit”, tha Peleshi.