Kosova nuk do të lejojë hyrjen dhe qarkullimin e veturave që kanë targat ilegale me akronimin “KM” të riregjistruara nga dhjetori i vitit të kaluar dhe tutje.
Njoftimin e bëri Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili akuzoi Serbinë se ka shkelur darkordimin e arritur në nëntor 2022 në Bruksel, sa i përket targave të makinave.
Ai konfirmoi se disa makina me targa ilegale KM nuk janë lejuar të hyjnë të mërkurën në territorin e Kosovës, pasi siç tha, ato ishin riregjistruar në muajin dhjetor të vitit të kaluar.
“Bazuar në dakordimin mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë në Bruksel në muajin nëntor 2022, Serbia është pajtuar që të ndalojë prodhimin e targave ilegale dhe riregjistrimin e atyre ekzistuese. Duke u bazuar në rastet që janë paraqitur në pikat tona kufitare, Serbia ka shkelur në tërësi këtë dakordim”, shkruan Sveçla.
“Raste të ngjashme të veturave me targa në fjalë, nuk do të lejohen të hyjnë apo veprojmë brenda territorit të Republikës së Kosovës, marrë parasysh që ato janë ilegale dhe ka dakordim për ndërprerjen e prodhimit apo ri-regjistrimin e tyre”, shtoi ai.