Vendosni fjalën kyçe....

‘Mjaft është mjaft’: Kryeministri australian i kërkon SHBA-së dhe Britanisë së Madhe të mbyllin procesin e ekstradimit të Julian Assange


 

 

Kryeministri australian Anthony Albanese të mërkurën u kërkoi Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe të mbyllin procesin e ekstradimit kundër bashkëthemeluesit të Wikileaks, Julian Assange, duke thënë se “mjaft është mjaft”, shkruan AA.

Gjatë një interviste për ABC Radio, kryeministri australian tha se pozicioni i vendit të tij për Assange është shumë i qartë, të cilin ai ia ka komunikuar SHBA-së dhe Britanisë së Madhe.

“Jam dakord që mjafton. Është koha që kjo çështje të mbyllet,” tha Albanese, sipas një transkripti të postuar në faqen zyrtare të zyrës së tij.

“Dhe ia kam bërë shumë të qartë administratës amerikane dhe qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar gjithashtu, se pikëpamja ime nuk ka ndryshuar nga pikëpamja që kisha kur isha lider i opozitës, që është se është koha që kjo të sillet në një mbyll”, shtoi ai.

Albanese tha se qeveria e tij po e trajton çështjen në mënyrë diplomatike dhe se Canberra e ka bërë të qartë qëndrimin e saj për miqtë e saj.

Assange, një shtetas australian, po mbahet në MB, ku autoritetet autorizuan ekstradimin e tij në SHBA vitin e kaluar, ku ai kërkohet për rolin e tij të dyshuar në spiunazh dhe shpërndarjen e informacionit të klasifikuar ushtarak amerikan.

Departamenti Amerikan i Drejtësisë i etiketoi veprimet e Assange si pjesë të “kompromiseve më të mëdha të informacionit të klasifikuar në historinë e Shteteve të Bashkuara”.

Në nëntor të vitit të kaluar, mediat kryesore globale bashkuan forcat për t’i bërë thirrje SHBA-së që të heqë akuzat kundër themeluesit të Wikileaks dhe të ndalojë ndjekjen e tij për të mbrojtur gazetarinë.