Vendosni fjalën kyçe....

U dhunua nga vëllai i nxënëses 13-vjeçares që e akuzon për ngacmim seksual, pezullohet mësuesi i fizkulturës në Tepelenë


Mësuesi i edukimit fizik në një shkollë të Tepelenës , i cili u dhunua dy ditë më parë, është pezulluar përkohësisht nga detyra.

Lajmi është dhënë nga ministrja e Arsimit Kushi përmes një shënimi në rrjetet sociale.

Ajo shkruan se mësuesi i dhunuar është akuzuar nga familjarët e një nxënëseje të mitur për ngacmim seksual ndaj saj. Kushi shton më tej se nxënëses në fjalë i është ofruar ndihmë nga punonjësit sociale.

“Kemi ndjekur nga afër ngjarjen e ditëve të fundit të ndodhur në Tepelenë, ku një mësues është dhunuar, pasi akuzohet nga familjarët për abuzim ndaj vajzës së tyre. Për mësuesin është marrë masa e ndalimit nga policia dhe Zyra Arsimore Tepelenë ka marrë sot vendimin për pezullimin e mësuesit nga puna deri në përfundimin e plotë të hetimeve. Nxënëses menjëherë i është ofruar ndihmë nga punonjësit e shërbimit psiko-social dhe gjithashtu drejtoria dhe stafi i shkollës do të vijojnë mbështetjen për vajzën dhe familjen e saj, për ta kapërcyer këtë situatë. Besojmë fort se organet e drejtësisë do ta zbardhin shumë shpejt të vërtetën e kësaj ngjarjeje dhe do të marrin vendimet e duhura ligjore. Siç e kemi bërë të ditur edhe më parë, qëndrimi ynë për këto raste është i prerë dhe nëse vërtetohet fajësia, krahas dënimit nga organet e drejtësisë, personat përgjegjës përjashtohen përgjithmonë nga sistemi arsimor. Për këtë arsye, kemi përfshirë një nen të ri në Ligjin për Arsimin Parauniversitar, i cili do të miratohet së shpejti në Kuvendin e Shqipërisë. Ne nuk do të lejojmë të punojë në institucionet tona arsimore askënd që cënon shëndetin dhe mirëqenien e nxënësve tanë.” – shkruan Kushi.

Mësuesi 59-vjeçar Kleanthi Laçi u dhunua dy ditë më parë nga disa persona.

Sipas tij, personat në fjalë e kishin thirrur professor dhe e kishin ftuar për një kafe dhe më pas e kishin dhunuar në një rrugë dytësore duke i shkaktuar dëme fizike.

Lidhur me ngjarjen është vetëdorëzuar në polici një person i identifikuar si Alvi Gumeni.

I riu emigrant ka deklaruar në polici se mësuesi i ka ngacmuar seksualisht motrën 13-vjeçare dhe se ishte kthyer nga emigrimi pas thirrjes së motrës së tij për ndihmë.