Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimet ndaj dy efektivëve të Policisë Rrugore të cilët dyshohet se i kanë marrë një shumë lekësh një qytetareje pasi e kanë ndaluar për kontroll në rrugë.
Po kështu kanë nisur hetimet edhe për drejtuesen e mjetit që dyshohet se u ka ofruar lekë efektivëve.
Drejtuesja e mjetit dhe efektivët u shfaqën në një video në rrjetet sociale.
Njoftimi
“Inspektor E. S. me detyrë Inspektor i Trafikut Urban dhe Interurban pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, i dyshuar se ka konsumuar elementët e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”;
– Inspektor S. S. me detyrë Inspektor i Trafikut Urban dhe Interurban pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, i dyshuar se ka konsumuar elementët e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”;
– Shtetasja I.H., e dyshuar se ka konsumuar elementet e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”
Materialet u referuan pasi në datë 16.01.2023 Drejtoria Rajonale AMP Durrës është vënë në dijeni të një video të publikuar në rrjetet sociale ku një shtetas i paidentifikuar denoncon me pamje filmike një rast të kontrollit të një drejtuese mjeti, kryer nga dy punonjës policie, dhe në video dyshohet për mitmarrje nga punonjësit e policisë
Nga tërësia e veprimeve të para hetimore të kryera, ngrihen dyshime të arsyeshme se punonjësit e policisë kanë komnsumuar elementët e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, ndërsa shtetasja I. H., dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” të parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal.
Ndërkohë Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur hetimin disiplinor për 2 punonjësit e Policisë.
AMP falënderon mediat për bashkëpunimin dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.”