Vendosni fjalën kyçe....

145 persona dyshohet se kanë vdekur pas fundosjes së anijes në Kongo


Të paktën 145 persona janë zhdukur dhe dyshohet se kanë vdekur pasi një varkë me motor e mbingarkuar me mallra dhe kafshë u mbyt natën në një lumë në veriperëndim të Kongos, thanë autoritetet të enjten.

Rreth 55 persona i mbijetuan katastrofës, thanë zyrtarët. Varka po udhëtonte për në Republikën fqinje të Kongos kur u përmbys në lumin Lulonga, pranë qytetit të Basankusu.

Jean-Pierre Wangela, president i grupeve të shoqërisë civile në zonë, u tha gazetarëve se të paktën 145 persona ishin të zhdukur. Ai fajësoi mbingarkesën për përmbytjen e varkës, por tha se vendasit kanë pak mundësi të tjera lëvizjeje, shkruan AP.

“Nuk ka asnjë mjet tjetër transporti aktualisht në provincën tonë dhe këtu në territorin e Basankusu,” tha ai.

Fundosjet e varkave që shkaktojnë dhjetëra viktima janë shumë të zakonshme në pjesët e largëta të Kongos, ku udhëtimi me rrugë është ndonjëherë i pamundur. Shumë mjete ujore janë të mbingarkuara me mallra dhe njerëz që nuk dinë të notojnë. Operacionet e shpëtimit janë jashtëzakonisht të kufizuara në pjesë të largëta të vendit.

Në tetor, më shumë se 40 njerëz vdiqën në lumin Kongo në provincën Equateur në rrethana të ngjashme.