Vendosni fjalën kyçe....

“Do ia bëja dhuratë një shoku” – Bllokohet në aeroportin rus ‘kallashnikovi’ i larë në ar


Një automatik ‘kallashnikov’ i veshur me ar është gjetur në bagazhin e një burri që udhëtonte nga Yekaterinburgu, njoftoi të enjten Administrata Doganore.

Arma u zbulua nga doganierët e aeroportit të Koltsovës, të cilët thonë se personi po përpiqej ta kontrabandonte në një kuti dhuratash përmes ‘korridorit të gjelbër’, hyrje doganore e destinuar për udhëtarët që nuk kanë asnjë bagazh për të deklaruar. Udhëtari po fluturonte për në kryeqytetin e Uzbekistanit, Tashkent.

Pronari i armës thuhet se u tha zyrtarëve se automatiku ishte një model i dekompozuar. Ai pretendoi se arma, për të cilën thotë se ishte dekoruar nga mjeshtrit e Zlatoust, ishte menduar si dhuratë për një mik në Uzbekistan.

Sipas shërbimit doganor, ‘kallashnikovi’ i kalibrit 7,62 mm është ndërtuar në vitin 1974, në të njëjtin vit kur modeli, më i njohur si AK-74, u miratua për shërbim nga ish-Bashkimi Sovjetik. Autoritetet thanë se çmimi për një armë të tillë vlerësohet të arrijë deri në gjysmë milioni rubla ose rreth 7265 dollarë.

Zyrtarët doganorë thonë se e kanë bllokuar armën dhe ia kanë dorëzuar ekspertëve për të vendosur mundësinë e kthimit të saj në gjendje gatishmërie luftarake.