Parlamenti Evropian (PE) të enjten u bëri thirrje vendeve anëtare të BE-së që të mbështesin krijimin e një gjykate speciale për ta mbajtur Rusinë “përgjegjëse për krimin e agresionit kundër Ukrainës”, shkruan AA.
Ligjvënësit e miratuan rezolutën me 472 vota pro dhe 19 kundër dhe 33 abstenime.
Ai i bën thirrje BE-së të punojë “në bashkëpunim të ngushtë me Ukrainën dhe komunitetin ndërkombëtar për të nxitur krijimin e një tribunali të posaçëm ndërkombëtar për të ndjekur penalisht udhëheqjen politike dhe ushtarake të Rusisë dhe aleatët e saj“, sipas një deklarate të PE.
Legjislativi theksoi se gjykata speciale duhet të ketë juridiksion për të hetuar Presidentin Vladimir Putin dhe udhëheqjen politike dhe ushtarake të Rusisë, si dhe homologun e tij bjellorus Alexander Lukashenko.
Ndërsa detajet e sakta të gjykatës speciale mbeten për t’u përcaktuar, BE-ja duhet të fillojë menjëherë punën përgatitore “dhe të fokusohet në ndërtimin e marrëveshjeve për gjykatën në bashkëpunim me Ukrainën”.
“Parlamenti beson fuqishëm se krijimi i një gjykate speciale do të dërgonte një sinjal shumë të qartë si për shoqërinë ruse ashtu edhe për komunitetin ndërkombëtar se presidenti Putin dhe udhëheqja ruse në përgjithësi mund të dënohen për krimin e agresionit në Ukrainë”, thuhet në deklaratë.