Policia ka arrestuar ditën e sotme farmacistin i cili u shfaq në emisionin “Stop” duke ngacmuar një kliente (e infiltruara e emisionit) e cila kërkonte medikamente aborti.
Shtetasi H.R 53 vjeç u arrestua nga policia si i dyshuar për veprat penale të kontrabandës dhe fshehje të të ardhurave.
“Në lidhje me rastin e transmetuar në emisionin investigativ “Stop”, që bënte fjalë për një shtetas (farmacist) që tregtonte barna të kontrabanduara, ju sqarojmë se:
Shërbimet e Seksionit të Hetimit të Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë, menjëherë pas publikimit të pamjeve filmike, organizuan punën për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasit që shfaqet në video.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare arrestuan shtetasin:
– H. R., 53 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme”-thuhet në njoftimin e policisë.