Pas një aplikimi të bërë në muajin nëntor të vitit të shkuar nga kompania EDG Natural Gas për shfrytëzimin dhe nxjerrjen e gazit në zonën e Frakullës tashmë është kërkuar një tjetër lejë për fushën e Povelçës.
Kompania në fjalë në mes të 2022 nënshkroi një marrëveshje me ndarje prodhimi për këto fusha ku parashikohen përveç vendosjes në punë të puseve ekzistuese edhe hapja e puseve të rinj.
“Bazuar në dispozitat që rrjedhin nga kjo marrëveshje EDG ka marrë në dorëzim 3 puse ekzistues: Povelçë 1/b, Povelçë 9 dhe Povelçë 13, të cilët ndodhen në vendburimin Povelçë brenda zonës së projektit siç përcaktohet në Marrëveshjen Hidrokarbure. Këta puse, hapja e të cilëve daton që nga mesi i viteve ’80, janë shfrytëzuar në periudha të ndryshme dhe aktualisht janë në gjendje të mbyllur. Projekti konsiston në rehabilitimin e puseve ekzistuese të marrë në dorëzim dhe shpimin e një pusi të ri vlerësues të emërtuar Povelçë -32b (Pov-32/b) në pjesën veriore të vendburimit ku janë kryer shpime të kufizuara të cilat kanë treguar potencial të pashfrytëzuar”, thuhet në dokumentin joteknik të kompanisë paraqitur pranë autoriteteve për të siguruar lejen.
I njëjti raport nënvizon se pusi i ri i projektuar 340m në lindje të pusit Pov-32, i cili ka dhënë shenja gazi apo debite jo komerciale gazi, qëllimi kryesor i këtij shpimi do të jetë verifikimi i formacioneve të reja ranore gazmbajtëse ose shtrirjen e shtresave të kapura me pusin Pov-32 në kushte më të mira gjeologo-strukturore.
“Thellësia e parashikuar e shpimit të ri është rreth 2400m, përafërsisht e njëjtë me atë të puseve ekzistues. Më tej projekti parashikon vlerësimin e rezervave ekonomike dhe kalimin në fazën e prodhimit” thuhet në raport.
Referuar të dhënave zyrtare të Albpetrol, vendburimi Povelçë ka qene ndër më të rëndësishmit nga pesë fusha në total të identifikuara për shfrytëzim gazi në vend. Sipas një vlerësimi të kryer vetëm pak vite më parë nga kompania publike e prodhimit dhe nxjerrjes së naftës, rezervat origjinale te gazit ne vendburimin e Povelçës kane qene rreth 298 milion Nm3 gaz, nga te cilat jane nxjerre deri tani rreth 271 milion Nm3 gaz.
Kompania EDG Natural Gas që hyri në marrëveshje me Albpetrol vitin e shkuar zotërohet në 90% të saj nga ENERGY DEVELOPMENT GROUP me kuotat që zotërohen nga sipërmarrësi Sokol Meqemeja teksa 10% janë në zotërim të IMPACTO COMMUNICATIONS me aksionere të vetme Rezarta Bytyçi./N.Maho
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor