SPAK Nëpërmjet një deklarate, ka bërë me dije se ka përfunduar hetimet e procedimit penal ndaj gjyqtares Zamira Vyshka dhe personave të tjerë të implikuar në çështjen hetimore për korrupsion.
Zamira Vyshka, akuzohet për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë.
Ky organ i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesë për dërgimin e çështjes për gjykim në ngarkim të të pandehurve.
Deklarata e plotë:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka përfunduar hetimet e procedimit penal nr. 209 të vitit 2021, për veprat penale të “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 319 dhe 25 të Kodit Penal, “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, parashikuar nga nenet 319/ç të Kodit Penal, si dhe të “Moskallëzimi i krimit”, parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal.
Fakti penal i hetuar, lidhet me një rast të korrupsionit aktiv/pasiv në sistemin e drejtësisë (në qytetin e Elbasanit), ku persona të interesuar/familjarë të një shtetasi të arrestuar në bashkëpunim me avokatin mbrojtës, i kanë ofruar gjyqtarit të çështjes një shumë monetare me qëllim favorizimin në caktimin e masës së dënimit.
Pas analizimit të provave të grumbulluara në kuadër të këtij procedimi penal dhe përfundimit të hetimeve Prokuroria e Posaçme, i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesë për dërgimin e çështjes për gjykim në ngarkim të të pandehurve
Zamira Vyshka, e akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal.
Ilir Pashaj (avokat), Taulant Ramollari dhe Xhulio Musaj të akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 319 dhe 25 të Kodit Penal,
Andrea Tirana i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Moskallëzimi i krimit”, parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal.