Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Protestat do nisin shumë shpejt, Rama po bën gjithçka për të vjedhur zgjedhjet e 14 majit


Kreu i PD-së Berisha se shumë shpejt në vend do nisin protestat e revolucioni për rrëzimin  e qeverisë së kryeministrit Rama.

Në një bashkëbisedim me gazetarët në selinë blu, ai e cilësoi si përpjekje antikushtetuese e antidemokratike përpjekjen e Ramës për mbajtjen peng të vendimit të gjykatës lidhur me regjistrimin e PD-së.

“Unë jam i sigurt që do fillojë në një hark të shkurtër, përgatitjet po bëhen. Shoqëria shqiptare po zien. Përpjekja e tij antikushtetuese, antidemokratike duke mbajtur peng vendimin e gjykatës, mos lejimin e regjistrimit të vendimit në regjistër është akti më armiqësor ndaj demokracisë shqiptare që mund të ketë ndodhur. Jemi të gatshëm më shumë se kurrë për ti dhënë përgjigjen që meriton. Ne ekzistojmë në përputhje me ligjet. Kemi një vendim gjykate, të cilin nuk mund ta ndalojë kurrë kush të regjistrohet përveç Ramës, i cili është një bastard i xhelatëve të tij. Sot ky mendon se mund të ekzekutojë pluralizmin.” – tha Berisha.

Kryedemokrati tha gjithashtu se kryeministri Rama po bën gjithçka për të vjedhur zgjedhjet duke shpërndarë buxhetin për të blerë vota.

“Kundërshtari po bën gjithçka për të vjedhur zgjedhjet. Mund të them se i gjithë buxheti po shpërndahet i gjithi për zgjedhje. Ka një bashki ku kryetari i bashkisë ka fituar 30 milionë euro tendera për të blerë votat. Po ndjekim gjithçka. Ju e morët vesh vendimin, grupi kriminal Edi Rama, Ulsi Manja, Qefalia etj me radhë i shpëtuan burgut. Asnjë hetim. Është e vërtetë kjo që po ndodh që po punësojnë masivisht për vota, por unë kam besim se çdo shqiptar e ka të qartë se shitja e votës përbën një akt destabilizues për vendin. Nuk them se kanë firmosur për të shitur votën, por shitja e votës është një akt shumë i dënueshëm. Kam besim se demokratët nuk do mashtrohen, por do flasin në përputhje me idealet e tyre, me votë.” – shtoi Berisha.