Kreu i PD-së Berisha i është përgjigjur ambsadores amerikane Yuri Kim, e cila mbrëmjen e djeshme deklaroi se shpresonte që PD-ja të kthehej në një forcë që do udhëhiqte vendin përpara e jo pas e do bëhej shpresa e shqiptarëve.
Në një konferencë me gazetarët në selinë blu, kryedemokrati tha se demokratët shqiptarë e kanë zgjedhur vetë udhëheqjen e tyre dhe kanë treguar se nuk mund të shantazhohen nga persona që u tregojnë barin me formular staliniste të Enver Hoxhës.
Ai tha gjithashtu se Kim me qëndrimet e saj ka dëmtuar shumë rëndë repitacionin e SHBA-së te shqiptarët. Berisha shtoi se SHBA-ja është vendi i vlerave, parimeve dhe lirisë po ka problem me mafien e George Soros.
“Në fakt, asgjë nuk i pengoi demokratët që të zgjedhin udhëheqjen e tyre. Asgjë nuk mashtroi dot demokratët, asnjë kërcënim nga askush nuk i bindi ata që tërhiqen nga rruga e rithemelimit të një opozite të vërtetë. Demokratët, e them këtu me siguri të plotë, janë dhe mbeten njerëz të idealeve demokratike dhe pro-perëndimore. Por ata kurrë nuk mund të shantazhohen, aq më tepër nga persona që u tregojnë barin me formulat staliniste të Enver Hoxhës. Aq më tepër nga diplomatë që kanë dëmtuar shumë rëndë me qëndrimet e tyre, reputacionin e vendit të tyre te shqiptarët. Me këtë rast, demokratët dhe shqiptarët kanë kuptuar se Amerika është vendi i vlerave, parimeve dhe lirisë, por ka edhe ajo problemin e saj me mafien e George Soros, e cila nuk njeh parime, nuk njeh vlera dhe as interesa amerikane. Kjo mafie, siç është një rrezik i vërtetë për demokracinë shqiptare, fatmirësisht sot, del gjithnjë e më e qartë se është një rrezik për demokracinë amerikane.
Nuk kam ndërmend të komentoj më gjatë për një njeri, që ka dëmtuar me qëndrimet e saj, reputacionin e vendit të vet në Shqipëri. Dhe, për ta mbyllur, një njeri që u bë protagoniste kryesore e asaj që quhet ‘ëoke culture’. Kjo është kultura që neverisin më së shumti shqiptarët se çdo kulturë tjetër. E neverisin sepse kanë vuajtur më shumë se të tjerët. 45 vite kanë qenë falsifikim dhe mashtrim i historisë. Kështu që shqiptarët e kapin në ajër, tendencën më të vogël të mashtrimit dhe falsifikimit. Mbyllni sytë dhe kujtoni se çfarë u bë në 100-vjetorin e marrëdhënieve mes vendeve tona, se si u përdor teknika e amputimit për t’i mbyllur ato në vitin 1991.” – tha Berisha.