Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka marrë pjesë ditën e sotme në ceremoninë e 32-vjetorit të themelimit të degës së PD në qytetin e Elbasanit.
Në fjalën e mbajtur Berisha deklaroi se diktatura i la këtij qyteti si trashëgimi një kombinat “sëmundje e vdekje prurës” dhe kryeminsitri Rama solli “uzinën më të madhe të miellit të partisë në Ballkan”, ndërsa PD e shndërroi Elbasanin në pjesë integrale të metropolit të shqiptarëve.
“Elbasani ka qenë djep i atdhetarisë dhe traditës. Ne kemi pasur idealet tona dhe guxim për të përmbysur këtu diktaturën më të egër dhe ia dolëm”
Berisha shtoi më tej se PD ka kaluar një periudhë të cilën e konsideroi “të pashembullt”, pasi duke iu referuar sërish kryeministrit Rama, të cilin e cilsoi si “politikan pa vlera, ideale e parime”, shtoi se ai u vërsul mbi opozitën duke marrë peng kreun e saj e shkatërroi votën në vend.
“Në rast se diktatura la si trashëgimi këtu një kombinat sëmundje dhe vdekje mbjellës, në rast se Edi Rama solli këtu uzinën më të madhe të miellit të partisë në Ballkan, PD e shndërroi Elbasanin në pjesë integrale të metropolit të shqiptarëve. Sot destinacioni më i afërt nga qendra e Tiranës është Elbasani. Elbasani ka qenë djep i atdhetarisë dhe traditës. Ne kemi pasur idealet tona dhe guxim për të përmbysur këtu diktaturën më të egër dhe ia dolëm.
U bë gjithçka që të dështonte revolucioni ynë në vitet ’90, por triumfuam në mënyrë paqësore. Arma jonë kryesore është vetëm vota e lirë. PD kaloi një periudhë të pashembullt, ndoshta ndonjëherë, e vërteta është që ajo para alternativës “to be or not to be”, kjo sepse njeriu që drejton ekzekutivin shqiptar është një politikan që s’ka asnjë vlerë, parim e ideal. Njeri i cili u vërsul mbi opozitën e shfrytëzoi dobësitë e drejtimit të saj, mori peng kreun e saj. Shkatërroi votën e shqiptarëve, u rrëmbeu votën, e zhvlerësoi atë, e përzuri atë nga partia e tij. Bëri që dhe në partinë tonë 1958 të quhet 5200. Por ne prapë u ngritëm, në kushte të vështira e në një mision që shumë e shikonin si mision të pamundur, por jo”, tha Berisha.