Drejtori i CIA-s, William Burns, vizitoi në heshtje kryeqytetin ukrainas për një takim të klasifikuar me presidentin Vladimir Zelensky dhe aparatin e tij të inteligjencës, raportuan disa media të enjten.
Përveç ndarjes së informacionit nga inteligjenca e Uashingtonit, zyrtari dyshohet se paralajmëroi gjithashtu se ndihma ushtarake e SHBA-së mund të zbehet në muajt e ardhshëm mes kundërshtimit nga republikanët, të cilët së fundmi morën kontrollin e Kongresit.
Burns mbërriti në Kiev diku nga fundi i javës së kaluar dhe diskutoi ‘pritshmëritë e tij për atë që Rusia po planifikon ushtarakisht në javët dhe muajt e ardhshëm’, duke theksuar ‘urgjencën e momentit në fushën e betejës’ për forcat ukrainase, sipas Washington Post.
“Drejtori Burns udhëtoi për në Kiev, ku u takua me homologët e inteligjencës ukrainase, si dhe presidentin Zelensky dhe përforcoi mbështetjen tonë të vazhdueshme për Ukrainën në mbrojtjen e saj kundër agresionit rus”, konfirmoi një zyrtar amerikan i paidentifikuar në një deklaratë për Reuters.
Gjatë bisedimeve, zyrtarët ukrainas thuhet se ngritën shqetësime rreth mbështetjes së SHBA-së dhe pyetën se sa kohë mund të prisnin që ndihma të vazhdonte. Burns dyshohet se pranoi se ‘në një moment ndihma do të ishte më e vështirë për t’u arritur’ me republikanët që do kishin përsëri shumicën në Kongres, pasi një numër ligjvënësish konservatorë janë bërë gjithnjë e më kritikë ndaj saj.
Që nga marrja e detyrës, Presidenti Joe Biden ka autorizuar më shumë se 27 miliardë dollarë ndihmë të drejtpërdrejtë ushtarake për Kievin, me paketën e fundit të ndihmës prej 2.5 miliardë dollarësh të miratuar të enjten.