Protestuesit i vunë flakën flamurit suedez në Stamboll të shtunën në përgjigje të djegies publike të një kopjeje të Kuranit nga një aktivist anti-islam pranë ambasadës turke në Stokholm.
Incidenti ndodhi mes një grindjeje diplomatike midis Turqisë dhe Suedisë, mes kërkesës së vendit skandinav për t’u bashkuar me NATO-n.
Djegia e Kuranit u krye nga Rasmus Paludan, lideri i një partie të vogël daneze të ekstremit të djathtë të quajtur Steam Kurs (Hard Line). Policia ruajti sigurinë ndërsa aktivisti i vuri zjarrin librit.
Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu e quajti djegien e Kuranit një ‘krim urrejtjeje’ dhe u kërkoi autoriteteve suedeze të ndalojnë Paludan. Zyrtarët suedezë e dënuan incidentin, por pohuan se veprimet e aktivistit ishin në përputhje me ligjet që mbrojnë fjalën e lirë.
“Djegia e librave që janë të shenjtë për shumë njerëz është një akt thellësisht mosrespektues”, tha kryeministri suedez Ulf Kristersson, duke shprehur simpatinë për myslimanët.
“Liria e shprehjes është një pjesë themelore e demokracisë. Por ajo që është e ligjshme nuk është domosdoshmërisht e përshtatshme.”
Ankaraja ka akuzuar Suedinë dhe fqinjin e saj Finlandën për dështimin e përmbushjes së një marrëveshjeje të arritur në vitin 2022, sipas së cilës anëtari i NATO-s, Turqia ra dakord të mos vërë veton ndaj pranimit të shteteve nordike në aleancë.
Ndërkohë, Suedia premtoi të adresojë kërkesat e Ankarasë për të ekstraduar njerëz të dyshuar për lidhje me grupet kurde që Turqia i sheh si organizata terroriste.
Të shtunën, Turqia anuloi vizitën e ministrit suedez të mbrojtjes Pal Jonson që ishte planifikuar për më 27 janar. Masa erdhi pasi aktivistët mbajtën një protestë antiturke në Stokholm këtë muaj, gjatë së cilës një figurë e presidentit Rexhep Tajip Erdogan u var me kokë poshtë në një shtyllë.