Vendosni fjalën kyçe....

Astronauti Buzz Aldrin ‘djeg shaminë’, martohet në ditëlindjen e 93-të


Astronauti Edwin ‘Buzz’ Aldrin njoftoi në Facebook se është martuar me ‘dashurinë e tij të jetës’ në një ceremoni të vogël në Los Anxhelos.

Aldrin, i cili bëri histori së bashku me Neil Armstrong si njerëzit e parë që shkelën në sipërfaqen e Hënës, tha se dasma u zhvillua të premten, që ishte ditëlindja e tij e 93-të.

“Kam kënaqësinë të njoftoj se dashuria dhe partnerja ime shumëvjeçare, Dr. Anca V Faur, dhe unë jemi martuar. Ne u bashkuam në martesën e shenjtë në një ceremoni të vogël private në Los Anxhelos dhe jemi po aq të emocionuar sa adoleshentët”, shkroi ai.

Postimi mori 53,000 ‘pëlqime’ në Facebook deri të shtunën dhe u shoqërua me disa foto të porsamartuarve.

Më 20 korrik 1969, astronautët e ‘Apollo 11’, Armstrong dhe Aldrin bënë shëtitjen e tyre historike në sipërfaqen hënore, duke përmbushur zotimin e presidentit të ndjerë John F. Kennedy për të dërguar një ekuipazh të drejtuar në Hënë dhe për t’i kthyer të sigurtë në Tokë. Michael Collins ishte anëtari i tretë i ekuipazhit.