Tregu i makinave të udhëtarëve në Bashkimin Evropian u tkurr me 4.6% vitin e kaluar në vetëm 9.3 milionë njësi, që është niveli më i ulët i rajonit që nga viti 1993, raportoi këtë javë Shoqata Evropiane e Prodhuesve të Automobilave (ACEA).
Sipas raportit, rënia ka ardhur kryesisht si pasojë e ndikimit të mungesës së përbërësve në gjysmën e parë të vitit. Tregu, megjithatë, u përmirësua nga gushti në dhjetor, me regjistrimet e makinave të reja që u zgjeruan me 12.8% në muajin e fundit të vitit.
Në përgjithësi, në vitin 2022 vetëm Gjermania arriti të shënojë rritje (+1,1%) në mesin e katër tregjeve më të mëdha të BE-së. Ajo u ndihmua nga rezultati i fortë në dhjetor, tha ACEA. Tre tregjet e tjera u paraqitën të gjitha më keq se në vitin 2021, me Italinë që shënoi rënien më të madhe (-9.7%), e ndjekur nga Franca (-7.8%) dhe Spanja (-5.4%).
Të dhënat treguan se numri i automjeteve të regjistruara në vendet e BE-së (duke përjashtuar Maltën, për të cilën nuk ka statistika) u rrit në më shumë se 896,000 njësi muajin e kaluar nga mbi 795,000 një vit më parë.
Shitjet e makinave nga Volksëagen Group (duke përfshirë Skoda, Audi, Seat, Porsche dhe të tjerë) në Bashkimin Evropian u ulën me 5.2% vitin e kaluar, tha ACEA.