FBI-ja ka kontrolluar shtëpinë e Presidentit Joe Biden në Wilmington, Delaëare, të premten dhe gjeti dokumente shtesë të shënuara si të klasifikuara dhe gjithashtu mori në zotërim disa nga shënimet e tij të shkruara me dorë, tha avokati i presidentit të shtunën.
Më herët, më 12 janar avokatët e presidentit njoftuan kishin gjetur një ‘numër të vogël’ të dhënash të klasifikuara në një ish-zyrë në ‘Qendrën Penn Biden’ në Uashington pak përpara zgjedhjeve afatmesme. Që atëherë, avokatët gjetën gjashtë dokumente të klasifikuara në bibliotekën e shtëpisë së Biden në Wilmington nga koha e tij si zëvendëspresident.
Gjatë kontrollit të së premtes, i cili zgjati gati 13 orë, FBI-ja mori gjashtë artikuj që përmbanin dokumente me shenja të klasifikuara, tha Bob Bauer, avokati personal i presidentit. Pikat përfshinin kohën e Biden në Senat dhe si zv.president, ndërsa shënimet datonin në kohën e tij si zëvendëspresident, tha ai. Niveli i klasifikimit dhe nëse dokumentet e marra nga FBI-ja mbetën të klasifikuara, nuk ishte menjëherë e qartë pasi Departamenti i Drejtësisë po shqyrton të dhënat.
Ndihmësprokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Joseph Fitzpatrick, konfirmoi të shtunën se FBI-ja kishte kryer ‘një kontroll të planifikuar dhe konsensual’ në rezidencën e presidentit në Wilmington.
Presidenti dhe zonja e parë Jill Biden nuk ishin në shtëpi kur u krye kontrolli. Ata po kalonin fundjavën në shtëpinë e tyre në Rehoboth Beach, Delaware, shkruan AP.
Duke folur me gazetarët gjatë një udhëtimi në Kaliforni të enjten, Biden tha se ai ‘po bashkëpunonte plotësisht dhe mezi pret që kjo të zgjidhet shpejt’.
“Ne zbuluam se një pjesë e vogël e dokumenteve ishin depozituar në vendin e gabuar,” tha Biden.
“Ne ia dorëzuam ato menjëherë Arkivave dhe Departamentit të Drejtësisë”.
Mbetet për t’u parë nëse mund të kryhen kërkime shtesë nga zyrtarë federalë në vende të tjera. Avokatët personalë të Biden kryen më parë një kontroll në rezidencën e Rehoboth Beach dhe thanë se nuk gjetën asnjë dokument zyrtar ose regjistrim të klasifikuar.