Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla tha mbrëmjen e sotme se përveç kallëzimit të ministrit të drejtësisë Manja në SPAK të çështjes së 21 janarit do ketë një kallëzim edhe në emër të grupit parlamentar socialist.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin ‘Opinion’ në Tv Klan, Balla tha se vrasjet e katër personave në bulevard me 21 janar 2011 janë vrasje shtetërore dhe duhet të zbardhet.
“Do kemi një kallëzim edhe nga PS-ja dhe grupit parlamentar. Në momentin që jemi nga Prokuroria e Tiranës ka ende një procedim penal me dy vrasjet pa autor, ajo e Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës dhe në këtë kontekst vrasjet pa autor nuk arkivohen. Kemi ardhur me 21 janar 2023, familjarët dhe ne si PS i jemi drejtuar kreut të njësisë së posaçme në SPAK për të kërkuar hetimin e çështjes. E kemi çuar në SPAk pasi personat duhen hetuar për një sërë veprash penale dhe janë persona nën juridiksionin e SPAK-ut. Që nga Ndrea Prendi, ministri i Brendshëm dhe kryeministri i asaj kohe Sali Berisha. Sali Berisha e ka thënë këtë gjë në studion tuaj dhe në studio të tjera se kush kalon perimetrin e sigurisë do qëllohet. Këtu kemi të bëjmë me një vrasje shtetërore. Ne jemi palë e dëmtuar në proces pasi ata që u vranë ishin katër nga shokët tanë.” – tha Balla.