Kreu i PD Sali Berisha, ka dalë në një konferencë për mediat mbi situatën e vështirë që ka përfshirë vendi nga moti I keq ditët e fundit.
Berisha tha se shumë vështirësi kanë ardhur si pasojë e punëve të dobëta që janë bërë nga qeveria Rama.
“Jam këtu për të denoncuar me forcën më të madhe, qëndrimin e papërgjegjshëm të qeverisë, e cila sillet sot si një organizatë e papërgjegjshme dhe ka lënë Shqipërinë një vend tërësisht të braktisur. Nga jugu në veri, rrugë të bllokuara, jetë të humbura, për shkak të infrastrukturës mesjetare, shembje masive për shkak të vjedhjes së fondeve në skarpate, rrënime të investimeve të bëra dhe dy vjet më parë.
Ai ka akuzuar më tej qeverinë se po sillet si një organizatë e papërgjegjshme dhe se fatkeqësia e vendit nuk është moti, por vetë kryeministri Edi Rama.
‘’Shqipëria nuk pati një mot të madh dhe nuk ishte moti i madh, fatkeqësia e saj. Fatkeqësia e vërtetë e Shqipërisë në këtë mot ishte Edi Rama dhe ministrat e tij hajdutë dhe të papërgjegjshëm për detyrën që kryejnë. U zhdukën, përveç Facebook-ut të Edi Ramës, nuk ka funksionuar asgjë”, tha kreu i PD Sali Berisha.