Kreu i PDSH-së në Maqedoninë e Veriut Menduh Thaçi e ish-shefi i Policisë Sekrete Sasho Mijalkov janë dënuar me nga dy vite burg lidhur me dosjen ‘Titanik 2’.
Gjykata Themelore në Shkup shpalli vendimin për të dytën herë. Rasti ka të bëje me parregullsi zgjdhore në të cilin të akuzuar kryesorë janë ish-shefi i Policisë Sekrete, Sasho Mijalkov e lideri i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi.
Edhe pse të gjithë të akuzuarit sot u shpallën fajtor, në krahasim me aktgjykimin e vitit 2019, kësaj radhe gjykata vendosi që t’ua ulë dënimin me burg të gjithë të akuzuarve, ish-shefit të Policisë Sekrete, Sasho Mijalkov, liderit të PDSh-së, Menduh Thaçi, Bedredin Ibraimit dhe Aneta Stefanovskas, Vlatko Shajkovskit dhe Sasho Srcevit, shkruan Alsat.
Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare Menduh Thaçi gëzon imunitetin e deputetit dhe për veprat të cilat nuk janë të dënueshme mbi 5 vjet burg, imuniteti është i vlefshëm dhe do e shpëtojë përkohësisht nga vuajtja e dënimit.
Sipas aktakuzës, Sasho Mijallkovi, duke e shfrytëzuar fuqinë e vet të cilën e ka pasur në shoqëri dhe raportet e afërta me liderin e PDSH-së, Menduh Thaçin, në vitin 2013-të, është paraqitur te ai dhe i ka kërkuar, që anëtari i KSHZ-së nga PDSH-ja, Bedredin Ibraimi të votojë për prishjen e votimit në vendvotimin në Strumicë. Thaçi është paraqitur te Ibraimi, dhe ai ka votuar për këtë.