Vendosni fjalën kyçe....

Holanda mund të mbyllë fushën më të madhe të gazit në BE – Zyrtari


Qeveria holandeze do ndalojë prodhimin në fushën e gazit në Groningen më vonë këtë vit, tha për Financial Times Sekretari Shtetëror për Industritë Nxjerrëse, Hans Vijlbrief.

Zona tashmë po prodhon vetëm një pjesë të kapacitetit të saj dhe është ‘shumë e rrezikshme’ të vazhdohet me funksionimin e saj, sipas zyrtarit.

“Ne nuk do hapemi më shumë për shkak të çështjeve të sigurisë…Nuk do ta bëj sepse kjo do të thotë që rrisim mundësitë për tërmete, për të cilat nuk dua të jem përgjegjës.” – tha ai për gazetën.

“Është shumë, shumë e thjeshtë. Të gjithë ata që kanë njohuri për rrezikun e tërmeteve më thonë se është vërtet shumë e rrezikshme të vazhdosh të prodhosh në Groningen. Jam shumë i bindur se është e mençur ta mbyllim atë.” – vijoi Vijlbrief.

Zyrtari vuri në dukje se ai planifikon të mbyllë vendndodhjen deri më 1 tetor, por kjo do varet nga fakti nëse BE ka gaz të mjaftueshëm pas dimrit. Nëse është e nevojshme, fusha mund të vazhdojë të funksionojë deri në tetor 2024.

Thuhet se ka rreth 1 trilion dollarë rezerva gazi në Groningen, i cili u hap në 1963 dhe prodhoi mbi 50 miliardë metra kub gaz në kulmin e tij dhjetë vjet më parë. Megjithatë, për shkak se procesi i nxjerrjes çoi në tërmete që kërcënuan shtëpitë e banorëve vendas, prodhimi përfundimisht u ndërpre.

Deri në 100 lëkundje të shkaktuara nga shpimet janë regjistruar çdo vit rreth Groningenit që nga vitet 1980, me afërsisht 160,000 kërkesa për dëmtime të pronës të paraqitura deri më sot, sipas FT.

Holanda u vu nën presionin e autoriteteve të BE-së për të rritur prodhimin në vend vitin e kaluar, kur një rënie e furnizimeve nga Rusia bëri që çmimet e gazit në kontinent të rriteshin në nivele të larta historike.

Megjithëse Haga i hodhi poshtë këto thirrje, ajo shtyu planet për mbylljen e fushës. Prodhimi i tij vjetor u ul në 2.8 miliardë metra kub (bcm), pasi prodhimi i më shumë se 5 bcm do të rriste rrezikun e tërmeteve, tha Vijlbrief.