Gazetari Artan Hoxha tha pas daljes nga prokuroria, ku dha dëshminë e tij mbi me materialin audio lidhur me 21 janarin, se shpresonte që dalja e materialit të nxisë organin e akuzës që të nisë hetimin.
Ai theksoi se kjo është mundësia e fundit për të zbardhur 21 janarin dhe se ai bashkë me familjarët e të vrarëve kërkojnë që çështja t’i kalojë SPAK-ut.
“Prokurorja që heton 21 janarin kishte deleguar detyra për oficerët e policisë Gjyqësore, të cilët më kërkuan deklarimin tim për çështjen. Përshëndes prokuroren që reagoi dhe shpresoj që ky detaj i ri të nxisë hetimin. Unë dhe familjarët e të vrarëve kërkojmë që çështja t’i kalojë SPAK-ut, për mundësitë që SPAK ka. Duke pasur parasysh që është një krim shtetëror ku përfshihen zyrtarët më të lartë të shtetit, të cilët duhen marrë në pyetje, atribut që e ka SPAK. Mbi ngjarjen nuk janë pyetur në atë kohë as Basha, as Berisha, as Ina Rama, as Bamir Topi dhe as Edi Rama. Për mendimin tim kjo është mundësia e fundit për të zbardhur 21 janarin.” – tha Hoxha.
Ai shtoi më tej se familjarët e katër viktimave që u vranë më 21 janar presin përgjigje për atë që ka ndodhur dhe se kush i vrau ata në mes të bulevardit.
“Ka kaluar shumë kohë, e dyta kemi një strukturë të re si SPAK, koha nuk është më sic ka qenë dhe nuk është më presioni ndaj drejtësisë. Më vonë do të jetë shumë vonë për t’i dhënë përgjigje familjarëve të viktimave. Duhet të qetësohen shpirtrat e tyre dhe familjarëve të tyre. Duhet të zbardhet kush i vrau në mes të bulevardit me duar në xhepa, kur asnjëri nuk ka qenë në rrethimin e kryeministrisë. Prokuroria duhet të shfrytëzojë këtë mundësi që po i jepet. Është një ngjarje që ka ngelur në histori. Ngjan me 2 prillin e 1991. Unë deklarova informacionin që disponoj, si është disponuar dhe jam i habitur që ky material nuk ka qenë në dosjen e hetimin dhe dosjen e gjykuar nga krimet e rënda. Jam i disponueshëm nëse do më thërrasin sërish. Nëse vlen si provë apo një indicie që i con tek prova e vlerëson prokuroria. Shërbimin që bëmë bashkë me familjarët duhet ta kishin bërë ata që e kishin për detyrë.” – tha Hoxha.