Ka përfunduar mbledhja e Këshillit të Sigurimit Kombëtar e thirrur nga presidenti Bajram Begaj ku morën pjesë krerët më të lartë të shtetit për analizimin e gjendjes së sigurisë të vendit dhe të prioriteteve për vitin 2023.
Presidenti Bajram Begaj në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit ka folur edhe për tensionet e krijuara pak javë më parë në veri të Kosovës. Begaj tha se Shqipëria do të jetë në krah të Kosovës në ruajtjen e integritetit territorial të saj.
‘’Përgjatë gjithë vitit dhe në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, u ballafaquam me një situatë tepër delikate në veri të Kosovës, e cila nuk kontribuon në paqen dhe stabilitetin rajonal. Shqipëria është në krah të Kosovës dhe vlerëson ruajtjen e paprekshmërisë dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, vlerëson rolin dhe kontributin e misionit KFOR të NATOs në garantimin e paqes dhe sigurisë, respekton parimet e fqinjësisë së mirë, si dhe mbështet dhe inkurajon dialogun Serbi-Kosovë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur nga SHBA, për arritjen e një marrëveshje përfundimtare, që do të çojë në njohje të ndërsjelltë.’’
Begaj gjithashtu trajtoi edhe luftën në Ukrainë, ku tha se pasojat e kësaj lufte ndjehen në shumë fusha, sidomos atë ekonomike, që si pasojë kanë vështirësuar jetën e qytetarëve.
Agresioni i paligjshëm i Rusisë ndaj Ukrainës ka shkaktuar krizën më të madhe të sigurisë në hapësirën euro-atlantike, ndërsa efektet e tij në fushën ekonomike u shoqëruan me rritje të konsiderueshme çmimesh në sektorin ushqimor dhe të energjisë të cilat kanë shtrenjtuar dhe vështirësuar jetën e qytetarëve. Në këtë takim të sotëm, ne do bëjmë një analizë të gjendjes së sigurisë kombëtare dhe ajo ç’ka është më e rëndësishme është të diskutojmë prioritet për vitin në vijim, në funksion të një angazhimi të plotë dhe gjithpërfshirës të të gjitha institucioneve, për të siguruar bashkërendimin e përpjekjeve dhe përdorimin efikas të burimeve kombëtare në funksion të sigurisë, lirisë dhe mirëqenies”, tha Begaj
Gjithashtu presidenti preku edhe çështjen e haekrave Iranianë, i cili jo vetëm shkaktoi probleme në infrastrukturën digjitale në vend.
“Viti që sapo kemi lënë pas ishte i vështirë dhe sfidues edhe për sigurinë tonë kombëtare. Në muajin korrik, ne u përballëm me një nga sulmet më të rënda kibernetike të sponsorizuar nga struktura shtetërore të Republikës Islamike të Iranit, i cili jo vetëm shkaktoi probleme në infrastrukturën digjitale në vend, por ishte me qëllime të dukshme politike për të shkaktuar destabilitet. Gjatë vitit 2022 kemi kaluar situata të vështira që lidhen me përmbytjet gjatë periudhës së dimrit; situatë e vështirë është krijuar dhe këto dy javët e fundit, si dhe zjarret gjatë periudhës së verës. Gjithashtu ka patur cënim të sigurisë publike nga fenomene të kriminalitetit, aktivitete të paligjshme të trafikut të lëndëve narkotike, krimit të organizuar, korrupsionit, emigracionit etj. Të gjitha këto kanë ndikuar negativisht në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mirëqënies së qytetarëve”, tha Begaj.