Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur në audiencë private në Selinë e Shenjtë nga Papa Françesku, njoftoi zyra e saj më 23 janar, sipas REL.
Sipas njoftimit, Osmani i tha Papës se synimi i Kosovës është njohja nga Vatikani.
“Njohja e Kosovës nga Selia e Shenjtë ndikon në fuqizimin e mëtejmë të shtetësisë sonë dhe për integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike. Synimi i Kosovës për njohje nga Vatikani kontribuon në thellimin dhe avancimin e mëtejmë të raporteve tona shekullore, si dhe në rrugën evropiane të vendit tonë”, tha ajo.
Kosova ka shpallur pavarësinë në shkurt të vitit 2008, por Vatikani ende nuk e ka njohur shtetësinë e saj.
Këtë njohje e kanë kërkuar edhe liderë të tjerë të Kosovës nëpër vite.
Haradinaj kërkon njohje nga Vatikani
Jahjaga kërkon njohje nga Vatikani
Presidenti Thaçi ka takuar Papa Françeskun
Në njoftim thuhet se presidentja e falenderoi Papën për vendimin e tij të vitit 2018 për ta ngritur Administratën Apostolike të Kosovës në nivel të Dioqezës.
Në takim u bisedua gjithashtu për raportet ndërmjet dy vendeve dhe “kujdesin të cilin Vatikani e ka treguar ndaj popullit tonë, duke njohur vlerat qytetëruese të tij, të cilat bota i ka parë të mishëruara në personalitetin e Nënë Terezës”.