Vendosni fjalën kyçe....

Vasili i drejton 25 pyetje Ramës për çështjen e detit me Greqinë: Interesat e Shqipërisë kanë dalë në pazar


Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili në një komunikim për mediat deklaruar se interesat e Shqipërisë kanë dalë në pazar dhe se kryeministri Edi Rama nuk tregon të vërtetën lidhur me çështjen e detit.

“Interesat e Shqipërisë kanë dalë në Pazar dhe kjo është bërë e qartë edhe nga ish-presidenti Meta dikur. Në 100 vitet e fundit kjo është një situatë e paprecedente. Rama nuk është interesuar të tregojë të vërtetën”, ka thënë Vasili.

Vasili renditi 25 pyetje për kryeministrit për sa i përket, grupit negociator, veprimeve të kryera dhe mos transparencës mbi këtë çështje të rëndësishme.

Deklarata e plotë

I nderuar Zoti Kryeministër,

Çështja e kufirit detar është kryeçështje për çdo shqiptar.

I gjithë opinioni kërkon dhe pret trasparencë për këtë çështje e cila nuk është eskluzivitet i qeverisë, por i një sërë institucionesh kushtetuese të detyrueshëm e të pakapërcyeshëm siç janë Presidenti i Republikës dhe Kuvendi i Shqipërisë.

Në datën 21 korrik të vitit 2022, të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë përfshirë edhe Ju me cilësinë e dyfishtë të Deputetit më së pari, si edhe atë të Kryeministrit jeni njohur me letrën zyrtare të Presidentit të Shqipërise Z. Ilir Meta për çështjen e kufizimit të zonave detare midis dy vendeve (Shqipëri- Greqi) dhe ecurisë së procesit negociator.

Problemet, që ngrihen dhe evidentohen në letrën e presidentit janë shumë serioze dhe kritike, pasi kemi të bëjmë me kufijtë shteterorë dhe hapësirën territoriale të Republikës së Shqipërisë. Në këtë letër evidentohen me të dhëna dhe dokumente se veprimet e Qeverisë kanë qenë në shkelje të Kushtetutës, të njëanshme, aspak trasparente dhe jo profesionale duke vënë në rrezik shumë serioz interesat territoriale të Republikës së Shqipërisë.

Presidenti Meta në Letrën Zyrtare drejtuar Deputetëve mes të tjerash informon se:

“Këtu më duhet të evidentoj se, Republika e Shqipërisë dhe Republika e Greqisë, zyrtarisht nuk kanë njoftuar apo deklaruar përfundimin e negociatave dhe as mbylljen e tyre pa rezultat, apo të kenë evidentuar se cilat janë ato çështje që përfundimisht nuk është rënë dakord midis palëve, dhe çfarë rruge apo procedure do të ndiqet”.

“Megjithëse Shqipëria zyrtarisht është në proces të hapur negociatash me Republikën e Greqisë, Presidenti i Republikës nuk është informuar zyrtarisht nga Kryeministri se me çfarë akti, Qeveria ka kaluar nga procesi negociator sipas Kushtetutës dhe të drejtës ndërkombëtare, në zhvillime negociatash në nivel politik për këtë çështje, e aq më tepër të deklarohet paraprakisht se cila do të jetë rruga që do të ndiqet”.

“Në kushte tilla, ligjërisht rezulton se, Kryeministri, apo çdo zyrtar tjetër i Qeverisë nuk është konsultuar, nuk ka kërkuar dhe as nuk është pajisur me ndonjë Autorizim nga Presidenti i Republikës, sipas detyrimit të qartë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr. 15/ 2010, për të negociuar apo për të diskutuar me Republikën e Greqisë në emër të Republikës së Shqipërisë, në lidhje me çështjen e kufizimit të zonave detare, e aq më pak për të vendosur apo dakordësuar nëse kjo çështje do të shkojë për alternativë zgjidhje në ndonjë nga Gjykatat Ndërkombëtare, ndërkohë që palët zyrtarisht janë ende në negociata”.

“Këshilli i Ministrave dhe Ministria e Evropës dhe Punët e Jashtme përgjatë gjithë këtij procesi nuk kanë treguar luajalitet dhe sinqeritet me Presidentin e Republikës, i cili në rastin më të mirë është informuar me vonesë dhe post factum, jo plotësisht, ashtu siç dhe veprime e zgjedhje të qeverisë lidhur me këtë çështje janë bërë në mënyrë të njëanshme dhe pa marrë as mendimin e Presidentit të Republikës”.

Pas njohjes me këtë letër e këto informacione tepër shqetësuese, personalisht si deputet i Kuvendit të Shqiperisë, kam pritur me durim që Ju si Kryeministër të informonit Kuvendin dhe të benit trasparencë të plotë lidhur me këto probleme kaq serioze, që tashmë ishin bërë prezentë nga Presidenti, por kjo nuk u bë asnjëherë nga ana juaj.

Ndaj, në mbështetje të neneve 23 dhe 48 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, i ndryshuar, nenit 8 të ligjit nr.8550, datë 18.11.1999 “Statusi i Deputetit”, i ndryshuar,  nenit 7 të ligjit 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, po Ju kërkoj të më informoni në lidhje me pyetjet e mëposhtme:

1.Cila është përmbajtja e Marrëveshjes politike të arritur në tetor 2020 dhe të deklaruar nga Ministri grek Dendias në tetor të vitit 2020, dhe përse nuk është bërë asnjëherë publike kjo Marrëveshje?

2.Përse Marrëveshjen politike me Greqinë, e cila sipas Ministrit të Jashtem grek Dendias është mbyllur në tetor të vitit 2020, nuk e keni çuar as tek Presidenti dhe as në Kuvendin e Shqipërisë, si dy institucione Kushtetuese të detyrueshme e të pakapërcyeshme?

3.Përse keni vendosur për një zgjidhje, që e vendos Shqipërinë në dizavantazh të qartë dhe të një humbjeje të paralajmëruar përballë Greqisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë?

4.Përse janë kapërcyer të gjitha instancat kushtetuese dhe janë ndërmarrë veprime apo deklarata publike pohuese tuaja personale të njeanshme, të paautorizuara, që nuk janë në tagrin e Qeverisë, Kryeministrit dhe që Kushtetuta i ndalon kategorikisht?

5.Për çfarë arsye Ju si Kryeminister keni informuar në mënyrë të pavërtetë Qeverinë e Greqise sikur Presidentit Meta nuk ju paska dhënë autorizimin e kërkuar prej jush, kur dihet zyrtarisht se Ju nuk keni kërkuar kurrë një autorizim të tillë sikurse konfirmohet në letrën zyrtare të Presidentit Meta drejtuar deputetëve të datës 21 korrik 2022?

6.Përse Qeveria, pa asnjë akt zyrtar për plotfuqishmëri negociuese, me VKM. Nr. 221, datë 7.4.2021 ka alokuar rreth 1.5 milion dollarë për miratimin e kontratës me objekt konsulencë për hartimin e projektmarrëveshjes që do të lidhet ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Greqisë, për referimin e çështjes se kufizimit të zonave detare pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ?

7.Cili është Grupi Negociator, që po punon për Marrëveshjen me të cilën do të shkohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë?

8.Kush dhe kur e ka mandatuar këtë Grup Negociator për të bërë një Marrëveshje për kufijtë detare dhe për t’i ndarë ata në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, kur as Presidenti Meta nuk ka dhënë asnjë plotfuqishmëri për këtë dhe as Kuvendi nuk është informuar në asnjë rast ?

9.Përse mbahet e fshehtë përbërja e këtij Grupi Negociator dhe objekti i punës së tij?

10.Akoma në fuqi është një tjetër Grup Negociator i ngritur që në 19 mars të vitit 2018 për të përgatitur Marrëveshjen me Greqinë dhe që ka plotfuqinë e Presidentit sikundër Kushtetuta e kërkon, çfarë po ndodh me këtë Grup?

11.Negociatat e filluara për kufizimin e zonave detare me Greqinë a kanë përfunduar?

12.Nëse negociatat për përcaktimin e kufirit detar janë ndërprerë cilat janë arsyet parimore të pazgjidhshme, që kanë sjellë ndërprerjen e tyre?

13.A ka qenë për Qeverinë shqiptare Vendimi i Gjykatës Kushtetuese linja udhëheqëse e qëndrimit në negociatat për Marrëveshjen e kufirit detar me Greqinë?

14.Nëse Marreveshja nuk u arrit, cilat ishin shkaqet themelore, që e penguan atë?

15.Përse nuk keni bëre publike se çfarë Marrëveshje ishte pergatitur dhe ishte planifikuar për firmosje me Qeverinë Greke të ish Kryeministrit Tsipras?

16.Përse nuk keni bërë as me Presidentin dhe as me Kuvendin trasparencën e plotë të situatës, lidhur me negociatat e filluara që në mars vitin 2018 për Marrëveshjen e kufirit detar me Greqinë?

17.A ka pasur pala greke gjatë negociatave temë të diskutimit zgjerimin e ujrave territoriale Greke (kufirit detar) nga 6 në 12 milje, dhe nëse po, cili ka qenë reagimi i grupit negociator i mbajtur gjatë zhvillimit të negociatave?

18.Pas deklarimeve të Greqisë për zgjerimin me 12 milje, a u mblodh grupi negociator shqiptar për të përcaktuar qëndrimin dhe vendimin lidhur me vazhdimin e negociatave?

19.Për se në deklarimet Tuaja publike si Kryeministër, Ju pranoni  publikisht, zgjerimin e ujrave territorialë të Greqisë nga 6 në 12 milje, ndërkohë që dihet se të tilla deklarime dobësojnë pozitën dhe platformën negociatore të Shqipërisë në këtë proces duke favorizuar palën Greke dhe duke parapërgatitur rezultatin e tyre përfshi këtu dhe mënyrën e zgjidhjes së saj në Gjykatën Ndërkombëtare?

20.Përse nuk ngritët një grup të gjerë mbështetës me profesorë, historianë, juristë dhe njohës të së drejtës së detit, për të marrë opinionin dhe ekspertizën e tyre të zgjeruar përpara se sa të bënit deklarimet publike dhe pranoni zgjerimin e ujrave territorial të Greqisë nga 6 në 12 milje? 

21.Përse Qeveria shqiptare dhe Ju si Kryeministër nuk vepruat zyrtarisht ndaj qëndrimeve e veprimeve të Qeverisë Greke për zgjerimin me 12 milje, por zgjodhët pasivitetin që u hapte rrugën veprimeve të njëanshme të Greqisë kundër interesave të Shqipërisë, ndërkohë që reagimi përmes një note verbale të Qeverisë Shqiptare në Sekretariatin e Kombeve të Bashkuara mund të kishte forcuar pozitat e palës shqiptare në procesin gjyqësor ndërkombëtar, që keni vendosur të nisni?

22.Çfarë komunikimi keni pasur Ju zoti Kryeministër me institucionet dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë në Tiranë dhe më gjerë, në se ka pasur, për të ngritur shqetësimet për kufirin detar dhe për të kërkuar ndihmën e mbështetetjen e tyre profesionale dhe politike?

23.Çfarë bashkëpunimi keni pasur, nëse ka pasur, me Presidentin dhe Parlamentin për t’i dalë përpara kësaj çeshtjeje kombëtare me rëndësi kritike?

24.Si është argumentuar, që përballë Greqisë shumë të përgatitur dhe me nivel të lartë ekspertize, do të jetë grup ekspertësh pa kapacitete profesonale konkuruese dhe pa udhëheqje të qartë politike të nivelit më të lartë?

25.Përse nuk reaguat kur në Kornizën Negociuese të BE-së për pranimin e Shqipërisë, të miratuar në 19 korrik në Konferencën e Parë Ndërqeveritare midis Bashkimit Europian dhe Qeverisë së Shqipërisë, në kapitullin “Parimet udhëheqëse të negociatave”, në faqen 11, në pikën 5, në nenin 3, thuhet tekstualisht:

“Angazhimi i Shqipërisë për të zgjidhur çdo mosmarrëveshje kufitare sipas parimit të zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve në përputhje me Kartën e OKB dhe Konventën e OKB mbi Ligjin e Detit, përfshirë nëse është e nevojshme juridiksionin e detyrueshëm të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”.

Shqipëria zyrtarisht nuk ka mosmarrëveshje kufitare me asnjë shtet kufitar me të, pra, si mund pranohej nga Qeveria një kusht i tillë?

Zoti Kryeministër,

Çështja e kufijve të Shqipërisë me Greqinë është e mbyllur për drejtësinë dhe për të drejtën ndërkombëtare në 30 korrik 1926 në Paris me traktatin ndërkombëtar “Akti përfundimtar i delimitimit të kufijve të Shqipërisë”. Traktatin e përfunduan fuqitë e mëdha europiane për kufijtë tokësorë dhe detarë të Shqipërisë, të cilin e pranuan dhe e firmosën qeveritë e Greqisë dhe të Jugosllavisë.

Me çuarjen e çështjes së kufizimit të zonave detare në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, Ju nën përgjegjësine personale si Kryeministër, po vini në diskutim dhe rrezikoni seriozisht kufijtë territorialë të Shqipërisë duke anashkaluar dhe dokumentet kryesorë të përcaktimit të hapësirës territoriale Shqiptare dhe mbrojtjen ndërkombëtare të miratuara dhe të garantuara prej 1 shekulli.

Jam në pritje të përgjigjeve Tuaja në respekt të afateve të përcaktuara me ligj.

Duke ju falenderuar,