Estonia ka urdhëruar ambasadorin rus të largohet nga vendi, ka njoftuar Ministria e Jashtme, vetëm disa orë pasi Rusia i tha diplomatit rezident të Talinit të largohej nga Moska.
Ministria e Jashtme ruse thirri Margus Laidre të hënën dhe e informoi atë se ai duhet të largohej deri më 7 shkurt. Talini ka thënë se i dërguari i Kremlinit duhet të largohet në të njëjtën kohë.
“Estonia merr parasysh vendimin e sotëm të Rusisë për të ulur praninë diplomatike në nivelin e të ngarkuarit me punë”, shkroi shërbimi diplomatik i Estonisë në Twitter.
“Ne i qëndrojmë parimit të barazisë në marrëdhëniet me Rusinë, që do të thotë se ambasadori rus do largohet në të njëjtën kohë me ambasadorin e Estonisë në Rusi”.
Ministri i Jashtëm estonez Urmas Reinsalu tha se ‘hapat e Rusisë nuk do na pengojnë të ofrojmë mbështetje të vazhdueshme për Ukrainën’.
Këtë muaj, autoritetet estoneze i thanë Moskës që të shkurtonte në mënyrë drastike personelin që punon në Ambasadën Ruse në Talin deri më 1 shkurt. Zyrtarët rusë më vonë thanë se masa kishte ndërprerë shërbimet konsullore të misionit.
Ministria e Jashtme ruse njoftoi të hënën se do ulë nivelin e lidhjeve dypalëshe.
Ministri i Jashtëm Letonez Edgars Rinkevics tha të hënën se vendi i tij do ulë gjithashtu marrëdhëniet me Moskën.
“Për shkak të agresionit brutal të vazhdueshëm rus kundër Ukrainës dhe në solidaritet me Estoninë, Letonia do ulë nivelin e marrëdhënieve diplomatike me Rusinë duke filluar nga 24 shkurti, duke i kërkuar Rusisë të veprojë në përputhje me rrethanat”, tha diplomati në Twitter.