Vendosni fjalën kyçe....

Akuzat e opozitës për lidhje me ish-zyrtarin e arrestuar të FBI-së, reagon Rama: Do ta kishte nxjerrë hetimi në SHBA po të kishte lidhje me mua


Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas akuzave nga opozita në Shqipëri, menjëherë pas arrestimit në Amerikë të mikut të tij, ish-drejtorit të FBI Charles McGonigal.

Në reagimin e tij në Twitter, Edi Rama distancohet nga akuzat dhe thotë se nuk ka asnjë lidhje, sepse nëse do ishte e kundërta, do ta kishte nxjerrë hetimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kryeministri thekson se nuk do merret me këto akuza, por do vazhdojë punën me njerëzit.

Akuzohet në Amerikë një zyrtar i FBI për gjëra që s’kanë as edhe një lidhje me mua (se po të kishin do t’i kishte nxjerrë hetimi i atyre që nuk manipulojnë prova e as kursejnë fajtorë) dhe në Shqipëri fillon gjyqi ndaj meje në Big Brotherin e politikës, kanaleve e portaleve!

Jam mësuar, po së fundmi kam vendosur të mos merrem më me nxjerrjen e çdo guri që hidhet përditë në lumë nga protagonistët e sojsojshëm të këtij Big Brotheri pambarim! Më pak fjalë dhe akoma më shumë punë e kontakte me njerëzit që kanë punë për të bërë apo punë për të zgjidhur.

Duhen kuptuar edhe ata që s’dinë të bëjnë asgjë tjetër, ashtu siç duhen kuptuar edhe ata që s’duan të besojnë asgjë tjetër përveç asaj që duan medoemos të besojnë”, shkruan Edi Rama.

Opozita në Tiranë e ka akuzuar Ramën se nëpërmjet njerëzve të tij të afërt i ka dhënë para ish-drejtorit të FBI për të hetuar lobistët e PD.

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta tha në reagimin e tij se ai rezulton të jetë dhe mik i kryeministrit Edi Rama.

Meta theksoi se Rama ka pasur gjithmonë raport të pasinqertë me botën dhe SHBA-të.

Dihet që raporti i më i pasinqertë në Botë është ai mes Edi Ramës dhe SHBA. Nga Bilali te Charles, skandal pas skandali tregon qartë se ky nuk ka qenë një raport vlerash por aferash nga Rama. Raport korrupsioni dhe instrumentalizimi i këtyre marrëdhënieve, me qëllim helmimin e miqësisë amerikano-shqiptare. S’jam i habitur për këtë, jam i sigurt se do të dalin skandale të tjera. Ju kam folur për ekzistencën e një mafie ndërkombëtare. Atje ku është mafia, është dhe antimafia. Ju kam thënë për Kim Filmin dikur, ndaj të keni durim.”, tha Meta.

Berisha nga ana tjetër kërkoi nga mediat të flasin për arrestimin e ish-agjentit të FBI-së dhe lidhjet e tij me Ramën.

mediat kanë detyrime të mëdha ndaj publikut dhe duhet të jenë transparente.

Si mundet mediat të heshtin para këtij superskandali të përmasave trans-atlantike. A e kuptoni ju se detyra kryesore e mediave është që t’i shërbejnë publikut, jo ta rethojnë me mure censurën. Janë të gjitha mediat e botës që flasin sot për Edi Ramën, dhe jo mediat e Shqipërisë. E paimagjinueshme!

Sikur flitet për kryeministrin e Burkina Fasos, dhe jo për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Një njeri që u shpreh se jam krenar me agjentin McGonigal dhe se e ka paguar atë me 225 mijë dollarë. Një dorë, po kush i di duart e tjera.

Unë mendoj se mediat kanë detyrime të mëdha ndaj publikut”, është shprehur Berisha.

Edhe deputeti Gazment Bardhi shkroi se kryeministri Edi Rama, përmes një ish-punonjësit të Sigurimit të Shtetit, i ka paguar mikut të tij McGonigal, 225 mijë dollarë për të përfshirë Partinë Demokratike në “përrallën” e lobimit me para ruse.

Sipas Bardhit korruptimi i një zyrtari amerikan të FBI është akti më i rëndë i cili ka ndodhur gjatë 30 viteve në marrëdhëniet Shqipëri-SHBA.

Korruptimi i një zyrtari amerikan të FBI për të sajuar rrethana të rreme për kundërshtarët politikë është jo vetëm krim, por akti më i rëndë që ka ndodhur në këto 30 vite në marrëdhëniet Shqipëri-SHBA. Asnjë Kryeministër në vendet demokratike nuk përdor para të pista për të korruptuar zyrtarë amerikanë të lidhur me Rusinë për të goditur kundërshtarët politikë”, shkruan ai.

Gjithashtu deputeti bën me dije se ditën e sotme i është drejtuar SPAK ku i ka kërkuar që të nisë hetime për një organizatë kriminale të drejtuar nga kryeministri Edi Rama për kryerjen e disa veprave penale: “Korrupsion aktiv i nëpunësve të huaj publikë; Deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë; Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale; Grup i strukturuar kriminal dhe kryerja e veprës penale nga grupi i strukturuar kriminal”.