Vendosni fjalën kyçe....

OBSH po heton lidhjet mes vdekjeve të fëmijëve e shurupeve të kollës në tre vende – Reuters


Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) po heton nëse ka ndonjë lidhje midis prodhuesve, shurupet e ndotura të kollës së të cilëve, lidhen me vdekjen e më shumë se 300 fëmijëve në tre vende, tha një person i njohur me këtë çështje për Reuters.

Duke përmendur ‘nivele të papranueshme’ të toksinave në produkte, OBSH po kërkon më shumë informacion në lidhje me lëndët e para specifike të përdorura nga gjashtë prodhues në Indi dhe Indonezi për të prodhuar ilaçe të lidhura me vdekjet e fundit, si dhe nëse kompanitë i kanë marrë ato nga të njëjtët furnitorë, tha personi. OBSH nuk ka emërtuar asnjë furnizues.

OBSH po shqyrton gjithashtu nëse do këshillojë familjet globalisht për të rivlerësuar përdorimin e shurupeve të kollës për fëmijët në përgjithësi, ndërsa pyetjet mbi sigurinë e disa prej këtyre produkteve janë të pazgjidhura, tha personi. Ekspertët e OBSH-së po vlerësojnë provat nëse, ose kur, produkte të tilla mjekësore janë të nevojshme për fëmijët, tha personi.

Vdekjet e fëmijëve nga dëmtimi akut i veshkave filluan në korrik 2022 në Gambia, pasuar nga rastet në Indonezi dhe Uzbekistan. OBSH-ja ka thënë se vdekjet janë të lidhura me shurupet e kollës pa recetë që fëmijët merrnin për sëmundje të zakonshme dhe që përmbanin një toksinë të njohur, ose dietilen glikol ose etilen glikol.

Deri më sot, OBSH ka identifikuar gjashtë prodhues të barnave në Indi dhe Indonezi që prodhonin shurupet. Këta prodhues ose kanë kundwrshtuar të komentojnë mbi hetimin ose kanë mohuar përdorimin e materialeve të ndotura që kanë ndikuar në ndonjë vdekje. Reuters nuk ka asnjë provë për keqbërje nga kompanitë që OBSH-ja ka emërtuar.

“Ky është prioriteti më i lartë për ne, të mos shohim më vdekje të fëmijëve nga diçka që është kaq e parandalueshme.” – tha zëdhënësja e OBSH-së Margaret Harris, pa komentuar më tej detajet e punës së organizatës.

Agjencia shëndetësore e Kombeve të Bashkuara tha të hënën se kishte zgjeruar hetimin e saj për kontaminimin e mundshëm të dietilen glikolit dhe etilen glikolit në shurupet e kollës në katër vende të tjera ku të njëjtat produkte mund të kenë qenë në shitje: Kamboxhia, Filipinet, Timori Lindor dhe Senegali. Ai u bëri thirrje qeverive të tjera dhe industrisë globale farmaceutike që të nisin kontrolle urgjente për të çrrënjosur ilaçet nën standarde dhe për të përmirësuar rregulloren.

OBSH ka lëshuar tashmë alarme specifike për shurupet e kollës të bëra nga dy prodhues indianë, Maiden Pharmaceuticals dhe Marion Biotech, në tetor 2022 dhe në fillim të këtij muaji. Ai tha se shurupet e tyre ishin të lidhura me vdekjet përkatësisht në Gambia dhe Uzbekistan dhe alarmet u kërkonin njerëzve të ndalonin përdorimin e tyre.

Fabrikat e prodhimit të Maiden dhe Marion janë mbyllur të dyja. Maiden tani po kërkon të rihapet pasi qeveria indiane tha në dhjetor se testimi i saj nuk kishte gjetur probleme me produktet e Maiden.