Kirill Timoshenko ka dhënë dorëheqjen si nënkryetar i zyrës së presidentit ukrainas Vladimir Zelensky, pasi kreu i shtetit u zotua të shkundë qeverinë.
Riorganizimi, të cilin presidenti njoftoi në fjalimin e tij të përditshëm me video të martën në mëngjes, do prekë zyrtarët ‘në nivele të ndryshme, në ministri dhe organe të tjera të autoritetit qendror dhe vendor, si dhe në zbatimin e ligjit’.
Timoshenko është zyrtari më i lartë, largimi i të cilit nga detyra është konfirmuar deri më tani. Ai publikoi letrën e dorëheqjes së nënshkruar në rrjetet sociale në një postim lamtumire.
Disa media ukrainase kanë thënë se ai do zëvendësohet me Aleksey Kuleba, kreun e administratës së Rajonit të Kievit dhe se Timoshenko mund të vihet në krye të një administrate provinciale.
Një tjetër zyrtar i lartë që shkon drejt largimit është Zv.prokurori i Përgjithshëm Aleksey Simonenko, sipas raporteve. Në fillim të këtij muaji ai shkaktoi zemërim duke kaluar festat e Vitit të Ri në Spanjë.
Përveç optikës së keqe të relaksimit në një vendpushim të huaj gjatë kohës së luftës, udhëtimi ngriti dyshime për korrupsion, pasi Simonenko dyshohet se përdori një makinë që i përket një biznesmeni të pasur dhe shoqërohej nga një truprojë i punësuar nga pronari i makinës.
Pas incidentit, Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Ukrainës lëshoi një urdhër që ndalon zyrtarët të kalojnë kufirin kombëtar, përveç nëse janë në punë shtetërore.
Dorëheqja e Simonenkos u konfirmua zyrtarisht nga zyra e Zelensky më vonë gjatë ditës.
Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes Aleksey Reznikov me sa duket u kursye të hënën, pasi parlamenti ukrainas kundërshtoi të merrte masa kundër tij për një skandal korrupsioni.
Një hetim mediatik pretendoi të shtunën se ministria po blinte furnizime ushqimore me vlerë qindra milionë dollarë për trupat, me çmime që ishin disa herë më të larta se në zinxhirët e shitjeve me pakicë në Ukrainë.
Reznikov u tha ligjvënësve se dokumentet e cituara në hetim ishin të pasakta dhe se disa çmime ishin fryrë për shkak të një ‘gabimi teknik’. Disa anëtarë të parlamentit pranuan shpjegimet e ministrit, por organi ukrainas kundër korrupsionit NABU vazhdon të hetojë akuzat për korrupsion.
Javën e kaluar, NABU paditi Andrey Kobolev, ish-shefi i kompanisë shtetërore të energjisë Naftogaz. Në vitin 2018, ai i dha vetes një bonus 10 milionë dollarë për arritjet në betejat ligjore me Gazprom të Rusisë.
NABU pretendon se Kobolev e mbivlerësoi përfitimin financiar që ai dhe drejtuesit e tjerë siguruan për kompaninë ukrainase, dhe për pasojë mori një nivel të lartë kompensimi të paarsyeshëm.