Për shkak të çrregullimit me zinxhirët e furnizimit ushqimor nga lufta në Ukrainë, vitin e kaluar pati një kërkesë të lartë nga jashtë për prodhimet bujqësore në vendin tonë, teksa prodhimi ishte i kufizuar.
Të dhënat e INSTAT mbi tregtinë e jashtme tregojnë se gjatë vitit 2022 eksportet e zarzavateve në sasi pësuan rritje vetëm me 5 për qind, ndërkohë që importet e këtyre produkteve në sasi pësuan rritje me 21 për qind. Që nga sallata, brokoli, domatet e paketuara, patatet, fasulet e importit etj, ishin të pranishme në çdo pikë pakicë në vendin tonë.
Megjithëse eksportet e zarzavateve në sasi janë gati tre herë më të larta se importet, ritmet e rritjes së tyre kanë shfaqur dobësi vitet e fundit. P.sh. gjatë vitit 2021 importet e zarzavateve në sasi pësuan ulje me 4% dhe patën një rimëkëmbje të dobët me 2022 prej vetëm 5 për qind, me ritme shumë më të ulëta se dekada e fundit, ku eksportet në këtë grup shënuan rritje me ritme dyshifrore.
Shitjet e zarzavateve jashtë vendit vitet e fundit u rritën prej investimeve në zinxhirin e grumbullimit dhe eksportit, por nga ana tjetër tregu vendas po përballet me deficite furnizim nga prodhimi vendas. Këto zhvillime kanë rigjallëruar kanalet e importit të prodhimeve bujqësore.
Fermerët të cilët operojnë në zonat me prodhuese të vendit në Berat, Lushnjë e Fier vitin e kaluar reduktuan sipërfaqet e mbjella për shkak të kostove të larta të inputeve bujqësore, në një kohë që nuk po funksionin skemat mbështeste, teksa subvencioni i TVSH-së 6% u shfuqizua.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve, fermerët arritën të kenë të ardhura më të larta vitin që shkoi si rrjedhojë e rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Eksportet e zarzavateve në vlerë arritën në 11,3 miliardë lekë rreth 100 milionë euro me një rritje vjetore 27%. Inflacioni ishte i lartë kudo vitin që shkoi, por çmimet e grupit të ushqimeve u rriten sa dyfishi inflacionit, duke ndikuar pozitivisht në çmimet e shitjes me shumicë.
Fermerët janë më optimistë për vitin 2023, pasi po funksionon skema e mbështetjes në sera dhe ajo e karburantit, të cilat mbulojnë një pjesë të mirë të kostove të inputeve. Fermerët pohuan se po zgjerojnë sipërfaqet e mbjella në sera, të nxitur edhe nga çmimet më larta të importit dhe kushtet e favorshme të motit./B.Hoxha
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor